Një libër kritik për krijimtarinë e shkrimtarit Flori Bruqi.
nga Rajmonda MALEÇKA
Flori Bruqi
Flori Bruqi është njëri nga shkrimtarët që ka shkruar njërën nga letërsitë më interesante në Kosovë, veçanërisht në prerjen kohore të viteve 90-të e në vazhdim, me çfarë është bërë prezent një nga zhvillimet më të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Në problematikën historike, etnologjike, diplomatike e emblemuar nga të gjithë analistët historikw dhe ato të kohëve të vona si “nyja gordiane e Ballkanit”, letërsia e Flori Bruqit është interesante dhe e elementuar si letërsi bashkëkohore me të gjithë problematikën e saj qoftë ajo brenda letrare dhe ajo jashtë letrare.
Rajmonda MALEÇKA
Një korpus romanesh, të cilët në librin kritik që pritet të botohet në Tiranë së shpejti, vlerësohen si detaje të realitetit shqiptar, në kushtet e një klime kolonialiste, hedhin dritë të mjaftueshme në prerjet historike të një populli të sakrifikuar dhe të kryqëzuar për një çështje të hershme dhe hyjnore. Të gjithë konfliktet hyjnore kanë në themelin e vet raportet me lirinë. Flori Bruqi ndihmon në “paradigmën” për ta kuptuar “legjendën e mbijetesës”, gjithashtu dhe atë temën biblike të dhimbjes.
Raportet që letërsitë kanë me popujt dhe tokën në të cilën ato kanë gjetur rrënjët e fjalëve dhe të mendimeve, të kujtesës dhe të nevojës për të ditur se kush është atdheu, liria, njerëzit e lashtë dhe njerëzit e lirisë, kanë prodhuar gjithmonë letërsi që ju kanë rezistuar kohërave. Një letërsi është e mirë, është nënprodukt i një realiteti të madh njerëzor, kryesisht nga ky raport dhe nga jetëgjatësia që ajo i ka programuar vetes.
Pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në Kosovë, veçmas nga gjysmë e dytë e shekullit, që sapo lamë pas, është ndërtuar përmes një raporti ekzistencial i elementuar në subjekte, ngjarje, personazhe dhe struktura të shkëlqyera vertikale dhe horizontale me çfarë krijuesit e Kosovës i kanë bërë shërbimin kulturës shpirtërore dhe asaj të kujtesës kolektive, duke qenë e orientuar shpirtërisht.
Ekzistencializmi është një konsekuencë e njohur për të jetuar, i cili është shfaqur dhe e ka pjesëtuar veten në letërsinë artistike më shumë sesa në shumë fusha të tjera të dijes dhe të filozofisë. Tek shqiptarët ky lloj raporti ka qenë shumë më herët se sa Hajdegeri të shpallte doktrinën e ekzistencializmit. Nëpër prerjet e këtij ekzistencializmi, shkrimtari Flori Bruqi ka arritur t’i “shkulë” kohës shumë personazhe të tipizuar mrekullisht, shumë ngjarje me të cilat i bëjnë prezent epokën, protagonizmin historik, të cilat janë elementë të dukshëm të procesit letrar.
Studimi kritik për krijimtarinë artistike të Flori Bruqit e karakterizon autorin si një krijues unik në kushtet e një letërsie të re dhe specifike, e cila u shkrua në Kosovë në rrethanat e një kompleksi totalitaro - kolonial, e cila ishte e kushtëzuar të ishte me një simbolikë të qëndrueshme, por të realizonte një komunikim real. Në kohët totalitare dhe ato që inspirohen prej tij, apo janë nënprodukt i tij, komunikimi ka një rëndësi të madhe, i cili lidhet me strategjinë e mbijetesës. Kosova, të paktën për një shekull është kushtëzuar për mbijetesën e saj, pasi mbi të njëri nga kundërshtarët e saj të vjetër praktikoi mbi të gjenocidin, etnocidin dhe shfarosjen e zhdukjes në masë.
a. Letërsitë si prerje të kohërave
Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit si shkrimtar merr në konsideratë romanet e tij, të cilët nyjëtojnë kohët më emblematike të Kosovës. Bruqi ka arritur të sjellë personazhe, realitete njerëzore, situata, ambiente dhe klimë shpirtërore autoktone, të cilat bëhen të kapshme nga të gjithë kategoritë e lexuesit. Letërsia ka një qëllim të njohur, ajo synon të realizojë një komunikim sa më të gjerësishëm dhe sa më selektiv. Marrëdhënia që letërsia krijon me lexuesin është më e shtrirë dhe më e gjerësishme sesa njoftimi, që përcjellin llojet e tjera të komunikimit, dhe të letërsisë dokumentare apo dhe asaj historike.
Bruqi arrin të krijojë një raport kompleks të të gjithë llojeve të komunikimit me kohën, njerëzit, relacionet e nevojshme të shoqërisë në saj të tipave, karaktereve, ngjarjeve dhe të lëndës letrare, aq më tepër të gjinisë së romanit, duke e shndërruar të në “aksion”. “Aksioni” i komunikimit, kryesisht përmes një letërsie të ngjarjeve të hapura dhe të përjetuara, ka përmbushur njërin nga kushtet më sendërtare të letërsisë artistike, duke qenë njëra nga pasqyra më besnike, ku njerëzit kanë parë fytyrën e vet dhe historia ka shtuar faqet e librit të saj të madh të etnisë, kombit dhe të autoktonitetit të tij.
Romanet dhe krijimtaria artistike e Flori Bruqit, sjell prerjet kohore të zhvillimeve të fundshekullit të kaluar kryesisht, në një realitet të kushtëzuar njerëzore, ku duken hapur marrëdhëniet koloniale të kolonizatorit si sundues i egër dhe i papërmbajtshëm në egërsinë e vet dhe të një realiteti njerëzor, i cili i referohet thelbit të tij që nga lashtësia deri në ditët tona. Drama dhe personazhet, aksioni i ngjarjeve dhe definicionet psikologjike, të cilët tipizojnë zhvillimet sociale dhe historike të asaj ku merren dhe autori e gjen lëndën letrare, janë si dukuria e formimit të ortekëve që zmadhohet dhe marrin fuqi në rrugëtimin e vet. Bruqi kujdeset t’i ruajë konvencionet e kohës së tij dhe të personazheve të tij.
b. Letërsitë si vazhdimësi historike
Çështjet kombëtare kanë rrënjë të thella në problematikën e tyre për t’u bërë letërsi për arsyen e njohur të tyre. Letërsia artistike i ruan ngjarjet historike ndryshe arkivave, ndryshe dokumenteve historike, ndryshe historisë, ndryshe kronikave dhe ndryshe gjithë llojeve të tjera të kujtesës. Letërsia artistike i mbush me gjak dhe shpirt ngjarjet historike, i mban ashtu dhe i ruan po ashtu. Letërsia artistike i ka kodet komunikatave më të gjerësishme dhe më shpirtërore sesa të gjithë zejet e tjera të kujtesës dhe të revokimit njerëzor. Letërsia artistike nuk i konservon as ngjarjet historike, as ato njerëzore, as dhe personazhet e tyre, përkundrazi ajo arrin t’i bëjë pjesë të konvergjencave të zhvillimeve.
Personazhet e njohur dhe real të Shekspirit të madh, historia i ka fosilizuar, i ka konservuar deri në gjendje bazike, ndërsa shkrimtari i madh përmes letërsisë i ka sjellë ato në marrëdhënie me të gjithë kohët, pavarësisht sa të zhvilluara dhe të avancuara ata kanë qenë krahasimisht me kohën e personazheve real, prej të cilëve Shekspiri e mori “tharmin” e tyre.
Thuajse 10 romanet e Flori Bruqit dhe libri më i mirë i tij, “Guxim shqiptar”, i cili është ndërtuar si një organizëm unik, me marrëdhënie dhe kumte vertikale, horizontale dhe diagonale, dhe që është një libër për të gjithë, përbëjnë një realitet të veçantë letrarë, qoftë për tematikën po ashtu dhe për profilin letrar që autori ka paraqitur. Dhe kjo është kaq e vërtetë, sa të zë shumë pak kohë fizike ta absorbosh në leximin e parë këtë lloj krijimtarie, por është ndryshe kur atë kërkon ta zotërosh.
Shkrimtari Flori Bruqi përmbush parimin themelor të letërsisë si krijim, pasi ajo (letërsia artistike) nuk e përkufizon kohën që zë brenda vetes, por e pasqyron atë përmes zgjedhjes dhe seleksionimit të ngjarjeve, personazheve tipikw dhe e bën të komunikueshme me të gjithë kohët. Kjo sjellje elitare dhe e zgjedhur i bashkëngjitet dhe përvetësohet.
c. Metafora ekzistenciale e jetës
Duket se Flori Bruqi është një shkrimtar, i cili arrin ta gjejë letërsinë dhe gjendjen e tij krijuese, qoftë në një realitet në të cilin flitet për vdekjen, pritet vdekja, dhe, ku të gjithë lajmet që shkojnë e vijnë kanë të bëjnë po me vdekjen. Baladat e vjetra dhe ato të reja qoftë dhe për ta mundur vdekjen, kanë qenë dhe do të jenë më tragjiket në historinë e njerëzimin. Epi i Gilgameshit duket se i ka thënë të gjitha që nga koha kur ai u krijua dhe deri sot.
Ka kërkuar dhe ka gjetur personazhe, të cilët kanë plotësuar kapacitetin real dhe atë përtej vetës, që shkrimtari i ka bërë pjesë të një pune, frytet e të cilës jetojnë gjatë. Jetojnë më shumë se një shtëpi, më shumë se një mundim, më shumë se të gjithë gjërat e tjera më të sofistikuara, që njerëzimi është përpjekur dhe ka luftuar ta “mbajë” kohën, ta sundojë atë.
Koha nuk mund të sundohet kurrë, ajo zotërohet dhe të gjithë këtë e kanë bërë shkrimtari me letërsinë, që nga kohët antike deri sot. Letërsia e mirë e “mban” kohën, ajo e merr atë mbi shpinë, siç mund të marrësh mbi shpinën e devesë dhe një shtëpi, e përcjell nga koha në kohë. Asnjë teknologji tjetër, sado e sofistikuar, të ketë qenë ajo nuk ka arritur ta bëjë këtë, përveçse letërsia dhe shkrimtari.
Shkrimtari Flori Bruqi ka kërkuar ngjarje dhe ato i ka gjetur në jetën e njerëzve të tij, në jetën e armiqve të historisë dhe të popullit të tij. Ka qenë një ngjarje që ka shëtitur nëpër të gjithë rrugët e vendit të tij, nëpër rrugët e fisit të tij, prag më prag shtëpie. Ai, shkrimtari është nxënë me atë ngjarje, është rritur dhe pjekur me të. Një pjesë të saj e ka marrë në shpinë si ajo deveja nëpër shkretëtirë, një pjesë tjetër e ka “bërë” burrëri për ta përballuar jetën.
E gjithë krijimtaria e Flori Bruqit është një mega-metaforë e ndërtuar “metonimikisht” në raportet e njeriut me njerëzit dhe e qëndresës me ekzistencën. Studimi kritik mbi krijimtarinë e Flori Bruqit arrin ta elementojë të gjithë strukturën artistike të cilës i “perimetrohet” dukshëm ç’e ka motivuar atë dhe pse ka qenë e tillë. Krijimtaritë universale vijnë përmes thjeshtësisë së vet, por e mbajnë të tillë temat universale, për të cilat njerëzimi ka pasur, ka dhe sot do të ketë përjetësisht nevojë. Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit prek dhe çështjet e tjera të letërsisë që është shkruar dhe po shkruhet në Kosovë.