Cikël poetik nga Dije LOHAJ M’I KRYQËZOVE ËNDRRAT E MIA Jam ëndërrimtare deri në shumëkatëshet dashurore
Dhe ndjej shpirtin tënd kryeneç që nuk jep koordinatat e jehonave,
Dhe nuk ta lakoj shurdhërinë tënde si spirale zhgënjimi
Që ta shtrëngon shpirtin dhe shtrydhë si verdhësia
E gjuhën memece ta bën deri në përmasën e zhbërjes
Përball heshtjes sate e kufizoj vetveten dhe shtytjet tjera
M’i kryqëzove ëndrrat e mia këtej e andej dëshirave
E unë e raskapitur nga bredhjet po venitem
Mundohem ta përkëdhel veten time,
Sepse dua të jetoj ndryshe a nuk e kupton?!!
Ndryshe dua të jetoj…dua ta flakësh memecërinë
Ndryshe dua te krijoj hapësirë pjellore shpirti
Ah, kam mungesën tënde, e di…?!
Kam mugesën e guximit tim,
Prandaj nuk guxoj ta zvogëloj distancën e mohuar
Sepse sonte kam cunamin që shpirtin don të ma gllabëroj
Kam pasionin e dielltë që më djeg
Tërë universin zjarrmor brenda krahërorit
Sepse shpirti im ndjen se iu binde lutjeve hyjnore
Për hirë të dashurisë e më shumë se sa matanë saj,
Dua të frymoj ndryshe,
Dua të të ndjej ndryshe
Qoftë edhe e gozhduar me nyjëzimin tënd të brishtë.
VDEKJA NUK DO TË MË VDESË MUA Nëpër të gjitha dritëhijet e shpirtit,
Jeta frymon si për mua edhe për ty
Përtej e këndej vdekjes,
Bekuar nga një fatlumësi siç është Dashuria
Dhe në përmasat e të çdo gjurme,
Hapat e përgjërimit matin udhët,
E harrimi i molisur bisqe të reja shtatëzon,
Ngulur në plasat e mallit
Në gurin e shpuar me lot zane,
Monologun e vështimit ligjëron
Lozonjarë si përherë e në çdo stinë qielli,
Por dije si tani si dikur:
Kurdo që të vish e ngado të rishfaqesh,
Ndryshkun e mungesës tënde do ta heqësh
Që vdekja të mos na vdesë,
Dhe çuditemi si paskemi qenë
Me këmbë të lidhura prangosur ndjenjash
Me sy të zënë me pelerinë zezone,
Me dushkun e tharë të puthjeve,
Tretur në tejlargësitë e mallit,
Rënduar nga pesha e pasthirrmave të dhembjes,
Ku çdo pjesë e trupit pëshpërit:
Këngët e kënduara dikur,
Simfoni e përshpirtshme e mishërimit,
Një arie harqesh që mbajnë shtatin tënd,
Si tundimin që mbajtën urat e legjendave,
Nga kalon kolona e betimit:
Edhe për vdekjen që katandisë edhe epokat,
Edhe për jetën që ngjizuar kishim dhe rilindë shpresa
Vetë jam zot, dhe vdekja nuk do të vijë
Përjetë e mot.
NË KATEDRALEN E DASHURISË Më pëlqen të jem në luhajën e shikimeve tua,
Kur më dashuron,
Kaq vite aty dhe nuk të molisë asnjë shkak fryme,
As gjembat e stisur nga rrethanorë tjerë në katedrale,
Si në qeli kur kisha thurur
Vargje për gjergjef zemre,
Dhe ti më mërmërisje me heshtje,
Heshtje gjithë ato gjëra të ftohta si remineshencë vrastare,
Që vorbullojnë në jetën time,
E ti vrapoje i heshtur me përfytyrim fluturor
Me ëndrra të trazuara,
Sa unë të mos të të arrija dot
Dhe tretur nata në gjysmëarrati
E ma shkretonte rrugën disi vonesa jote
Për te katedralja e dashurisë
Dhe malli këmbëkryq ulej,
Më tundonte themeli i saj
E nëpër ato themele
Kryqëzoheshin dhe verboheshin
Sytë tanë.
Shkryqëzoheshin dhe shikonin deri në pafundësi
Netëve pa yje e hënë,
Universi lëvizte deri në shpirtërat tonë
Makthëm mbi kokat tona,
Edhe pse kjo katedrale e dashurisë
Ishte ndërtuar vetëm për ne.
Ishe pjesë e të gjithave dashurive me bekimin e madh.
URATË NGA MESHA IME Kujtimin për gjethin që lëkundej pa pushuar,
Do të kërkosh me mote
Pajën e freskisë që të kam dhuruar.
Qepallat që ëmbëlsisht përkdhelin ata sy që të shihnin,
Sa të kanë bekuar në çdo naforë e shelbim
Uratë nga mesha ime i bekuari i erëblirit tim
Matur me tiktaket e zemrës,
Që fjala nuk arrinte dot t’i thoshte.
Duart e mia aq larg,
Drejt teje rrinë shtrirë si hedhje përgjërimi,
Sot gjithkah pergamenave të tua ringjallet,
Kambana po bie më të gdhirë.
Sot drejt teje është nisur tërë përmasa ime cfilitur
Shpirti im i etur sa vetë tejzjarrmia,
Duart i shkojnë prapa dëshirës,
Sikur mallëngjimi që brof zemra e tretur.
Të të gjej kudo që të jesh
E të marrin në meshën time të rrallë,
Qoftë vetëm edhe një herë
Të belbëzosh muzgjeve atë magji të rrallë.
Të shoh në çastin e lumturimit,
Lëkundjet e hënës të dredhura në pikun e dielltë dite,
Thellë nga vorbulla e shtegtimit të fus në gji
Të gjithë yjet e qiellit.
Të takoj vetë edhe një herë,
Jo nuk do të jetë vonë,
Pastaj me ata gishtërinj zjarri e malli
Të shpupurisim hirin ende të prushtë në piktakim.
Në vatrën legjendë ku predikimi merr aureolën tonë
Dhe molla e dashurisë piqet nga dashuria,
Me dëshirat engjëllore si aurorë e verës,
Me bekimin tonë e të Perëndisë.
FLUTURA ZJARRI Mbështjellur me flakërima përgjërimi
Ngjizur me një rikujtim si përhitje muze
Një puthje të fundit të kërkova,
Tej harrimit që e mbaj për dore si nostalgjinë
Heshtjet të mos e mallkojnë dashurinë tonë më
Flakë e prush sa e sa numërova,
Oh, çfarë t’i bëj mallit që vegimthi më fton andej ?
Mbi luleblinajat e dëshirave
Flutura zjarri vals shkëndijojnë me copëza dashurishë
Nyjëzuar si pjalmim e hedhje në pritjet që i dua
Me imazhin lozonjar që fluron
Pastaj, medet, shuhen dalëngadalë,
Flutura zjarri që risjellin puhinë
Bashkë me mallin e prushtë të më djeg
E të rinisim një tjerër paralojë më të rrallë
Pësëri, ti fluturon,fluturon dhe ik tutje,
Që hapin tënd mos të ta ndjek dot
Deri te loja kur aty kryqëzojmë shikimet
Buzëqeshjet dhe buzëshkrumet
Dhe i jepemi me ritual atij çasti
Jam mirë më thua, mos më kërko kot?
Patjetër flutura zjarri vijnë te ti i dashur,
Ato janë te unë e vijnë edhe te ti
Hedhje kaq të bukura i meritove
Merri bëri kurorë për timin shtat,
E di ti, psherëtima ime është përmallim përsëri
Përsëri flutura zjarri do të krijojmë për atë Dashuri…
PERGAMENAVE TË DASHURISË Çdo kthim e ndonjë imazh me zërin e bilbilit,
Më vendosë diademë dashurie
Ëndërr e fuqishme në vegim,
Kur më shpiente drejt pergamenave të tua,
Me vello ylberore mbushur plot drithërimë
Në ato pak çaste takimesh në alete e yllësive.
Çdo çast, çuditërisht, e bardha ishte pak si rinisje,
Lodronte me zogjtë e malit dhe bëhej fluturim
Niste me vrap drejt teje dhe bëhej prush,
Shpëlante sytë në kroin e cemtë dhe bëhej bekim.
Shumë u desht që të kuptoja zemrën tënde,
Tiktaket e saj, gulçimin, fjalët, lotin,
Flakët ku digjte, hirin, zgjimin
Të bukurën dhe të shëmtuarën.
Edhe pse pergamenave të tua nuk jam mē,
Prore në zemër prapë më mbeti
Ëndërr në vegim, aroma me lëng molle parnasi,
Dhe ato pak çaste i bëmë pafundësisht frymore,
Në një ishull ku ligjëronim nga pergamena dashurishë.
ZGJOHET HIRI JETËS SIME Për ta mësuar udhën e bërjes së lirisë.
I ftova deri në rizgjim tërë shekujt
Që palosur ishin në sirtarë mijëvjeçarësh,
Doja aq shumë në këtë ballkon brengash ku jam
Jehonat e kumteve të më shoqëronin
U zgjua dhe hiri i jetës sime
Si polen mbushi tërë sfondet e mbamendjes
Në bujtinat e shpirtit iu bëra vend betejave e lavdive
Përgatita edhe lapidarët dhe obeliskun e përnditjes
Erdhën edhe ata që i lamë pa varre,
Edhe ata të molisurit nga myshqet e përçmimit
Pa nje vend për prehje
Që të bulojnë lulëkuqet mbi kokë.
Erdhën që t’ i rehatojnë eshtrat në ëndrrat e tyre
Dhe në dedikimin tonë të stolisur.
Po zgjohen udhët nga kjo amulli e shpifur
Kur nga predikimi i shekujve dëgjon :
Shihni, o ju të çmendurit e kohës sime,
Ca kocka të thyra po prehen?!
Jo nuk po prehen,
Ata po rrënkojnë
Tek ëndrrat që shpirti ua mori lart,
Dhe gjëma e engjëjve si feniks i ringjallë të mirët
Eh, po zgjohen antetë e gjeografisë sonë
Tej po shtegton rrënkimi
Tek yllësitë e dhembjes
Do i ribëjnë gjysmat tona
Lënë shtatit të shekujve .
MUZA PREJ SMERALDI Ti po bridhje duke mbjellë vargje,
Me shkronja si lulkuqet në pentagram krenarie
Në pritë nuk të del e habitshmja
Me fytyrë të mermertë,
Me një profil ngazëllues shembëlleje ëndshëm
Hedhur me një kostum smerladi në vargun tim,
Pushoje në lirikën e fundvjeshtave si qëndismë frymëzimi,
Pushon poshtë kopshtit të luleshpesave të mia,
Ti që më sjell muzën prej smeraldi,
Si gjeth afshror kur e valvitë puhia e dëshirave,
I dhuruar nga gjysmëgjethi im,
I të gjitha stinëve,
Por asnjë rrugë nuk është e gjatë,
As humbja me ty nuk është hapësirë e zbrazur
Nëse në fund të saj të pret diçka të dashur,
Si kënga ime me tingujt e timbrit tënd,
Për ta krijuar magjinë e orkestrinës së shpirtit.