Myzakete AdemiPoezia Fituese e Çmimit të tretë Letrar "Frang Bardhi" -2014Kur Zemrën i theve Nënës, mungoi dhe dritë e Hënës!Bir!
Ki mëshirë!
Për shpirtin e trazuar, për ndjenjën e bekuar,
ti mos lëndo një zemër, nga jeta të dërrmuar!
Bir!
Ki mëshirë!
Për sytë e mrekulluar, për qumështin e mëkuar!
Kaq shpejt ti vallë o bir'o-djalë e paskërke harruar,
që falë atij qumështi, je rritur e burrëruar?
Kujtoje veten kur zure shtratin, kur sëmundja po t'digjte shtatin,
e kur askush s'ta qante hallin, tek buzët e nënës e afrove ballin;
kur gjoksi valë-valë fërgëllonte, digjej prush i ethshëm mërzie,
në sytë e brishtë shikoje qiej të kaltër prilli, dhe detëra dashurie.
Në vështrim të syve, n'shikim të gëzimit,
lundronte qetë e lehtë, anija e shpëtimit;
të dhuroi ty jetën, të dha pendën e poetit,
të fali vetë zemrën dhe shpirtin e artistit.
Qielli derdhi e kulloi dritë, në prehrin e së gjorës,
e ca qortime djalit, ia la plumb n'pëllëmbë të dorës!
O-gjak-o-djalë-o-burrë, o nur' o bir' i mirë i mëmës!
kur Zemrën i theve Nënës, mungoi dhe dritë e Hënës!
E mpakur nga marazi;
brenda thellë n'kraharor, zemra si s'i plasi?!
E nis djaloshi e nis të qajë, sytë pikë-pikë vërshonin vaj,
e u drodh', dhe veten nuk mundi, jo s'mundi dot ta mbaj',
kur ballin uli-prehu në prehërin e saj.
Nga ethe të pendimit nisi t'psheretijë,
e me zë në gojë sakaq-sakaq të thojë:
Sa rrahje oh zemra mua do më pulsojë,
aq herë do lus Zotin ty të të mëshirojë!
@myzaketeademi