Vështrim rreth Vëllimit poetik “Vjersha” të autorit Lame Kodra (Pseudonimi i Sejfulla Malëshovës)
nga Agron Shele IWA ; WPS
Për mbarë lexuesin shqiptar dhe në mënyrë të veçantë për dashamirësit e shumtë të poezisë së Lame Kodrës (pseudonimi i Sejfulla Malëshovës), sot qarkullon me sukses vëllimi poetik “Vjersha”, Faksimile e botimit të dytë me të njëjtin emër (1946), falë interesimit të drejtëpërdrejtë të botuesit Mehmet Gëzhilli dhe ndihmës së çmuar të bashkëpunëtorëve Medi Koxhai dhe Melsed Doracaj.
Ky vëllim poetik i shoqëruar dhe me dy vëllime të tjera (përkthime +publicistikë) nga shtëpia botuese “Argeta LMG”, përbën evenimentin më të madh letrar për botën e sotme të letrave shqip, si dhe hedh dritë për njohjen e këtij personaliteti dhe poligloti, i cili u end mes dy jetëve:
Njëra pjesë e jetës është e mbushur me shkëlqim dhe dritë, ku mirënjohja dhe vlerësimi i personalitetve të tillë si Faik Konica dhe Theofan Stilian Noli do të rimedisiononin konceptin modern për një Shqipëri të nesërme, një Shqipëri Evropiane dhe një Shqipëri të ndrituar dhe bekuar nga e drejta, prosperiteti demokratik dhe pro perëndimor.
Ana tjetër e medaljes do tregonte heshtjen dhe reminishencat e totalitarizimit të diktaturës komuniste, ku figura e këtij personaliteti do të denigrohej me qëllim të caktuar politik, përkthimet e tij do botoheshin pa emër (megjithëse lexuesi mbarë shqiptar e kuptonte dhe e njihte shumë mirë penën dhe stilin e tij brilant), do të jetonte dhe punonte në kushte nga më të tmerrshmet, për të vdekur më pas në mjerim të plotë (i përcjellë për në banesën e fundit nga e motra Zenepe Çafka dhe dy varrmihës).
Botimi i tre vëllimeve rreth jetës dhe veprës së tij konfirmon plotësisht gjenialitetin dhe popullaritetin e padiskutueshëm të figurës së tij madhore, gjithashtu riformaton vizionin dhe vitalitetin në koshiencë të plotë.
Refleksioni dhe përshtypja e çdo lexuesi të çon tek vëllimi i parë poetik “Vjersha”.
Të perifrazosh e të komentosh vjershat e Lame Kodrës është njëlloj si të duash të belbëzosh e të thuash keq ato që janë thënë me akcent bilbili (citon Dr. Ymer Dëshnica).
“Jo pa qëllim shprehet dr. Dëshnica në këtë mënyrë, pasi vjershat e Lame Kodrës dëgjohen, ndjehen, këndohen, këto xhevahire të rralla reflektojnë shkëlqim dhe tejçueshmëri dhe shprehin qartë dinamizmin e ideuesit dhe projektuesit të këtij stili, sa kuptimplotë aq dhe domethënës.
Koha dhe rrethanat e kthyen këtë figurë në poet rrebel, herë-herë ngrihet mbi heshtjen dhe tallazet që përfshijnë atdheun dhe fshikullon retë e zeza që duan të pushtojnë kristalin e shpirtit të një kombi të tërë, herë-herë ulet këmbëkryq për të ndarë esnafërinë dhe mençurinë e shqiptarit. Sigurisht që, në mbarë poezinë e tij pasqyrohet mendimi dhe pikëpamja, që kishte për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, mendim, i cili konsistonte në luftën pa kompromis ndaj pragmatizmit dhe ndërgjegjeve të sëmura, të cilët duke shfrytëzuar mentalitetin e bajraktarizmit, që jo rrallë shoqëronte shoqërinë tonë, po gangrenizonin dhe rrënonin çdo ditë tokën e shenjtë, tokën arbërore. Duke u mbështetur mbi këtë realitet, poeti, përkthyesi dhe publicisti Lame Kodra ngrihet mbi sakrificën dhe sublimon pa reshtur. Shqetësimi i poetit shkel nëpër netët e errëta që mbartin trupin e sakatuar të atdheut të dashur, prandaj me shpresën dhe besimin e patundur kërkon realizimin e ëndrrës së ligjshme të një Shqipërie etnike, të lirë dhe demokratike. Këndvështrimi orgjinal dhe njohja e mirë e botës së trazuar të shqiptarit i jep të gjitha atributet për të modeluar dhe projektuar modelimin e tij të ri poetik, një modelim i thjeshtë dhe i asimilueshëm prej të gjithëve, një modelim që do ndikonte dukshëm në transformim të plotë të ndërgjegjies kombëtare. Botëkuptimi i gjerë, krijimi hapësirave dhe prespektivave të reja, patjetër do të mund të jepnin efektin e duhur pozitiv, efekt që percepetohet dhe përjetohet thellë nga mbarë lexuesit edhe sot. Jeta dhe vepra e tij poetike janë si një det i thellë dhe i paanë, ajo s´mund të matet, por vetëm të vlerësohet dhe respektohet. Vjershat e poetit i përshkruan ideja thelbësore bashkim, vëllazërim dhe drejtësi për të gjithë, ndershmëri, besnikëri dhe përkushtim ndaj atdheut, punë gëzim dhe dashuri njerëzore. Fjalët e tij janë profetike, godasin hermetizmin e kryneçësisë së kohës dhe ngjallin shpresë.
Larmia strofike dhe ajo monokolonë, lloji rimave, ndërtimi vargjeve, kadenca, ritmi dhe muzikaliteti e bëjnë poezinë e Lame Kodrës sa interesante aq dhe të veçantë. Rezonanca e gjerë që përshkruan vjershat e ngre autorin në nivelin më të lartë, e cilëson për nga stili dhe largpamësia. Poeti diku shfaqet i dhembshuruar, diku tjetër i rrebeluar, me këtë lloj tedence ai sigmatizon dhe mrekullon, shpreh revoltë dhe triumfon. Si poezi sugjestionuese, kjo lloj poezie do të mësohej dhe këndohej fshehurazi, duke vrarë heshtjen mizore dhe torturuese të imponuar nga diktati dhe duke çjerrur pareshtur fytyrën e vërtetë të totalitarizimit në art, kulturë dhe në çdo fushë tjetër të jetës. Kjo poezi sa herë që lexohet aq më shumë lartësohet, kapërcen kufijtë e kohorë dhe kumbon madhështinë e poetit Lame Kodra.
Lame Kodra meditoi me mendje gjeniale, shkroi me dorë poeti dhe jetoi për të shkuarën dhe të sotmen tonë.
Jo më kot poeti:
Qëndroi mes shkrepit të heshtur
Dhe heshtjen goditi mes të përjetshmes së tretu,
Kudo shikonte perëndimin e plakur
Dhe kudo i shfaqej agimi ringjallur.