Galaktika Poetike ATUNIS
Galaktika Poetike ATUNIS
Galaktika Poetike ATUNIS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
Galaktika Poetike ATUNIS

Galaktika Poetike ATUNIS
 
ForumPortaliLatest imagesRegjistrohuidentifikimi
Kërko
 
 

Display results as :
 
Rechercher Advanced Search
Tema Fundit
» Mourning - Poem by Shoshana Vegh / Translated into English by Gaby Morris London
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptyMon Aug 15, 2022 4:19 am nga Agron Shele

» Angels Bless Us In Sleep / Poem by Linda B. Scanlan
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySun Aug 14, 2022 9:58 am nga Agron Shele

» From a mother to her special son / Poem by Ernesto Kahan
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySun Aug 14, 2022 9:32 am nga Agron Shele

»  Natalie Arbiv Vaknin (Israel)
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySun Aug 14, 2022 9:27 am nga Agron Shele

» Poezi nga Grigor Jovani
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySun Aug 14, 2022 1:34 am nga Agron Shele

» KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA (Përsiatje mbi librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj) / Nga: Timo Mërkuri
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySun Aug 14, 2022 1:17 am nga Agron Shele

» Kalendari poetik: Sibilla Aleramo (1876-1960) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySat Aug 13, 2022 10:50 pm nga Agron Shele

» Lost Peace… / Article by Nahide Soltani
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySat Aug 13, 2022 11:04 am nga Agron Shele

» UNDEFINED / Poem by Jagdish Prakash
 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptySat Aug 13, 2022 11:00 am nga Agron Shele

April 2024
MonTueWedThuFriSatSun
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930     
CalendarCalendar
Statistikat
Forumi ka 54 anëtarë të regjistruar
Anëtari më i ri Franca

Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 924 artikuj v 818 temat
Sondazh

 

  TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Agron Shele
Admin
Agron Shele


Male

Libra Join date : 09/01/2012
Age : 51
Location : Albania

 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE Empty
MesazhTitulli: TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE    TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE EmptyTue Jan 10, 2012 4:23 am

TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE

(Për lirikën e poeteve shqiptare të Kosovës)

nga SHQIPE HASANI

 TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE Shqipe10

Lirika është në vetë botën e gruas. Veçan në këngën, në vjershën, përkatësisht në kangjelen e saj. Gruaja shqiptare e Kosovës, njëlloj si të gjitha gratë e etnikë, e nxori këngën e vet nga brendësia plot mistere e enigma duke e ngjyrosur atë me të jashtmen reale, me të bukurën gati të përrallëzuar. Megjithatë, gjithmonë ajo kangjele mbeti e butë, e ëmbël, përdëllestare si vetë shpirti i nënës, i motrës i gruas. Por, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore zëri i poetes shqiptare të asaj pjese të atdheut mbeti anonim, i sublimuar vetëm në këngë dasmash, në ninulla, në këngët popullore të dashurisë, në këngë e rite të motmotit etj.
Pas Luftës së Dytë patëm një rrëfanë bukur të begatë poetesh, që bënë emër në poezinë shqipe, veçan në lërimin e vjershës lirike.
Për këtë rast zgjodhëm t’u bëjmë një lexim të mundshëm tre librave të tri poeteve, që na u dukën ndër më emblematiket në pjesën e poezisë shqipe që krijohet në Kosovë: vëllimin poetik “VENDLINDJEN MA ZGJODHE TI” të Hida Halimit, vëllimin “KTHIMI I MOTRËS” të Fakete Rexhës dhe librin “TË VODHA NJË NATË” të Fatime Zeqirit.

Duke kërkuar mëkatin e njeriut

(Hida HALIMI: “ Vendlindjen ma zgjodhe ti”, “Plejada”, Prishtinë, 1993)

Libri me vjersha “Vendelindjen ma zgjodhe ti” është sajuar nga ciklet Imo pectore, Valsi i hijeve, Engjëjt në bluxhins, Gloria në C-DUR, Zeusi i truallit tim dhe Vendlindjen e zgjedh unë. Të gjashtë njësitë e këtij vëllimi mblidhen në strumbullarin e këngës së fatit të njeriut, përkatësisht të dramës së tij për ta mundur brengën për shkak të mëkatit të tij të lashtë dhe për ta mbijetuar vdekjen.
Libri hapet me poezinë “Paqe qiellit”, që tërthorazi artikulon frikën e njeriut që nga zanafilla, që e ka shtyrë atë ta krijojë në përfytyrime Shpëtimtarin, pra Krijuesin, që do ta shpëtojë nga barra e hidhur për të cilin poetja thotë: “Ia puthë këmbët, duart/ Dhe shenjën e hjekës humane./ Atë kryq druri/ Se shpëtimtari mungon”. Pra, poezia është ngritur mbi elipsën e motivit të mëkatit ( vetëm mëkatari ka nevojë të kërkojë mëshirën qiellore), mbi nevojën e ndërdijshme të njeriut për ta krijuar mbrojtësin, mbi ironinë e mashtrimit të përhershëm të vetvetes.
Poezia Kur ndalem e ciklit Imo pectore Teuta ( Nga fundi i zëmres, Teuta), përsëri i kërkon rrënjët e mëkatit, por tash atë mëkatin e shpifur të gruas, që ia kanë ngarkuar në shpinë gjatë mijëvjeçarëve si shenjë të disfatës së përhershme, pikërisht asaj që është e pafajshme si vetë jeta, mu asaj që bëri më së shumti sakrifica: “Për ullishtet e tim eti tha/ U flijova perëndive /Lojën me trimat e fshatit mbi fiqtë e pikur/ Në rërën e nxehtë/ ninullat e ëmbla mbi djep/Paqen e pleqërisë së kotur mbi furkën me lesh/Epitafin ku udhëtarët e lodhur nga jeta/ Do t’i kërkonin prehje trupit tim të derdhur”.
Dhimbjen e shprishjes së atdheut, ndërkaq, përkundër një pjese të madhe të poezive atdhetare plot zhurmë, patetikë e trimëri të shpifur, që kemi pasur rast t’i lexojmë sidomos në vitet e fundit, Hida përkundrazi, e këndon me një qetësi të hidhur, ngaqë: “Ia kënduan psalmet për bukurinë e gijotinës/ E ngushëlluan me dashurinë e mëshirës/ M’i thanë Ifigjeni, Rozafë.../ Një pëllëmbë shkrum ra mbi grafikën e Virgjëreshës Mëri.../ Kush e lidh sonte të shtatën plagë/ Thashë”. (poezia Deogratis - Në dorë të zotit).
Kërkimin e mëkatit të njeriut, përkatësisht përpjekjen për çlirimin e tij nga vargonjtë e hipokrizisë, Hida e vazhdon edhe në ciklin Valsi i hijeve. Poezitë e kësaj pjese të librit ndërtohen kryesisht mbi motivin e mohimit të fajit të shpifur, pra shqiptimit të dramës së ndrydhur të njeriut për t’u paraqitur dhe për t’u rrëfyer ashtu siç është.
I njëjti kërkim vazhdon edhe në ciklin Engjëjt me bluxhins, por tash me zërin më të sublimuar të gruas, me shpalimin më të guximshëm të shpirtit të saj plot dashuri e etje për jetë dhe me sfidimin më të pamëshirshëm të botës së mbytur në batakun e konvencës e të hipokrizisë.
Me vargjet: “Në ankthet e mëngjesit/ mos u fal për mua/ Nuk jam virgjëreshë e shenjtë / E virgjër është vetëm dashuria...”, Hida, me zërin e çiltër të artistes, e rrëzon fare lehtë piramidën e moralit të rremë, ngaqë ligjet e veta vetë jeta i zbaton pikërisht tek gruaja, duke ia besuar dashurinë dhe pavdekësinë. Kjo më së miri artikulohet tek vjersha Etje dhe mall e ciklit “Vendëlindjen e zgjedh unë”:”Që kur e ngujova time bijë në mitër/ e di se s’jamë shterpë/ Më therin ijet/ E pres./ Në këtë natë të shastisur/ Desha ta shoh/ Ta prek/ Ta mbaj në gji/ Desha t’i them/ Arbëri si Beatriçeja”.
S’ka dyshim se libri i parë i Hida Halimit “Vendlindjen ma zgjodhe ti” sjell një zë krejtësisht të veçante në poezinë shqipe.


Nëntë degët e një trungu

(Fakete Rexha: “Kthimi i Motrës”, “Renesanca”, Prishtinë, 1993)

Fakete Rexha erdhi si një zë krejt i qetë dhe i paimponueshëm, por i thellë, i natyrshëm, e me shenjën e ëndrrës së rikënduar vashërore, që gjithmonë sillet në rrotullimin e amshueshëm të stinëve dhe kurrë nuk mbaron.
Me vëllimin poetik “Kthimi i Motrës” Fakete Rexha vazhdon ta mbëltojë edhe më fuqishëm kopshtin e këngës, tashmë krejt e çliruar nga patetika, nga klithma dhe kreshpërimi, gërmuese dhe shënjuese e përjetshme e mallit dhe e dhembjes njerëzore.
Libri është ndarë në nëntë cikle (Kopshti me sytha, Oktapodi, Lulja e kujtimit, Dita e diellshme, Konvikti, Festa e emrit, Lutjet e mbrëmjes, Rruga e luleve, Muri që këndon, që shënojnë të nëntë vëllezërit e Motrës së baladës popullore. Ç’është e vërteta asociaconi i tillë del krejt tërthorazi, madje vetëm pasi t’i kemi rënë librit në fund, që mbyllet me poezinë e titullit Kthimi i Motrës.
Cikli i parë (“Kopshti me sytha”), hapet me poezinë “Mëngjesi” dhe mbyllet me atë “Dimri”. Poetja e nis librin me këngën për zanafillën e jetës, duke krijuar me mjeshtri të rrallë peizazhin e bukurisë, pafajnisë dhe etjes për përtritje. Rrënja, trungu, vesa e blata janë figura që gati pahetueshëm mbushin mozaikun e ëndrrës për pushtimin e jetës. Ndërkaq heroi lirik i poezisë “Drita” është “Fis i gjakut të shprishur” dhe “lozë e gjakut të ndritur” . Ç’dhembje të moçme gërmon poetja në këtë vjershë? Ajo krejt tërthorazi, sikur të ketë frikë se do ta lëndojë bukurinë baltike dhe pahiri do të heq ndonjërin nga gurët e murrmë të pikëllimi popullor, këndon tragjikën e qëndresën arbëreshe.
Cikli mbyllet me poezinë “Dimri” dhe vargjet “Obobo dimër, dimër/ i zi”, bartin në vete gjithë peshën e llahtarit të fundit të jetës, rrëqethjen dhe kreshpërimin përpara vdekjes, që vjen me pjalm dhe savan të bardhë, që ka fytyrë nate dhe relief dimri.
Ciklin e dytë (Oktapodi) e shënon më fuqishëm poezia “Shportë”, që del më e bukura dhe pothuaj më e pakrahasueshmja në gjithë këtë vëllim poetik.
Vargjet “Nëpër botë/ trupin e vet /kërkon”, që mbyllin këtë vjershë, këndojnë fundin tragjik të qenies që ka vetëm kokë e sy, por edhe kujtimin për trupin e humbur që do të duhej ta gjente për të shëruar dhembjen e moçme. Në të vërtet Koka dhe Syri janë mendja dhe kujtimi i patretur për trupin e humbur kushedi në ç’mënyrë. Shtresa e dytë kuptimore e kësaj poezie kap gamën më të gjerë të tragjikës së atyre kolektiviteteve që kanë humbur pothuaj gjithë identitetin, por që megjithatë, s’kanë mbërritur të shërohen nga kujtimi i së kaluares. Duke mbetur endacakë të përjetshëm me kokën në shportë dhe me sëpatën që ua kan prerë kokën, ata ëndërrojnë dhe kërkojnë trupin e vet kushedi në ç’mugëtirë historik të tretur.
Dy ciklet vijuese (Lulja e kujtimit dhe Dita e diellshme) Faketja mëton të shkruajë ditarin lirik, përkatësisht të këndojë rilindjen e qytetërimit të kolektivitetit tonë, të shenjuar përmes titujve të gazetave dhe revistave që zunë të botoheshin në Kosovë pas Luftës së dytë. Më duket se këtë më së miri e dëshmojnë vargjet e poezisë “Rilindja”:

Dita kur të gjithë
Lexojmë në sy
Pergamenën e lashtë

Ndërkaq, ciklin Lulja e kujtimit më së miri e plotëson Konvikti. Këtu sërish gërmohet dhe këndohet ëndrra vashërore, me një ligjërim skofiar, plot butësi dhe plot dhimbje, por një dhimbje e paimponueshme, spontane, që rrjedh natyrshëm si vetë jeta.
Pjesën e pestë të librit (Festa e emrit) e përbëjnë kryesisht prozat poetike, që ndoshta paralajmërojnë përkushtimin e nesërm të Faketes. Sido që të jetë, edhe në këtë pjesë ajo vazhdon ta ruajë ritmin tepër ilirik të ligjërimit dhe ta plotësojë kërkimin e vazhdueshëm të kuptimit të ekzistencës, të dashurisë, të urrejtjes, të tragjikes dhe të qëndresës së njeriut e të kolektivitetit. Të gjitha këto, në mënyrë më të përgjithësuar, me figura më të mëvetësishme dhe më të qëndrueshme, hyjnë në ligjërimin poetik të cikleve vijuese duke mbyllur kështu librin me poezinë Kthimi i Motrës, që në të vërtet është kthimi i pjesës më të dhimbshme të dashurisë dhe të jetës në shtëpinë e shkatërruar.


Monument për mëkatin biblik

(Fatime Zeqiri: “TË VODHA NJË NATË”, Forumi I Krijuesve të Artit, Prishtinë, 1998)

Librin e dytë me poezi për të rritur “Të vodha një natë”, Fatime Zeqiri e fillon dhe e mbaron si një ditar lirik, duke mbyllur e përjetësuar në poezitë e saj lulet e kaltra të çupërisë, netët plot harlisje ëndrrash, peizazhet lirike ku barisin të dashuruarit, trokthin magjik të gazeve, kambanat e përzishme të hidhërimeve dhe mëngjeset tunduese ku thërret jeta të mbyllemi në bukurinë e saj. Kjo, në të vërtet, është vetëm një pjesëz e gjeografisë dashurore, në thellësitë e së cilës poetja ngjyen penën e frymëzimit, në përpjekjet për të njohur vetveten, për të njohur rrënjët e jetës, të bukurat e mbushullimet e saj, kuptimin dhe të mistershmen e gjallimit. Duke barisur nga vjersha në vjershë, nga vargu në varg, ne s’e njohim vetëm tallazitjen e shpirtit të poeteshës, vetëm të parëndomtën e rëndomësisë së gjërave që i kemi parë dhe i kemi prekur, por, mbi të gjitha, shohim vetveten, klithmën tonë të dashurimit, strumbullarin filozofik të ardhjes së njeriut në këtë botë, të perëndimit dhe të ringjalljes së tij. Pra, në qendër është gjithmonë zjarri i dashurisë ai që e lëviz, që e harlis, që e shpirtëzon dhe që e ripërtrinë jetën. Në poezinë “Ndoshta”, Fatimja thotë: “Ndoshta gaboj| që jam e dashuruar| e di nga pak| po digjem. | Ju lutem më tregoni| si të dal nga ky zjarr”. Mbase vetëm për këtë grusht vargjesh mund të shkruheshin ese të gjata. Është ajo thjeshtësia e bukur dhe e mahnitshme, me të cilën zbulohet shpirti i dashuruar. Po kaq bukur vizatohet peizazhi dashuror edhe në vjershën “Për ty”: “Fli, të lutem| syri im të bën rojë| dhe në fillim të mëngjesit| ta afroj zemrën| dhe shtratin...” Ky peizazh plotësohet mjeshtërisht me vargjet: “Me urrejtje nuk pushtohet zemra” (poezia “Edhe njëherë pse”), ndërsa poezia “Mirë dhe keq” t’i kujton lirikat erotike të Pablo Nerudës, sidomos ofkëllimat: “Më vjen mirë| që krejt të kam harruar| dikush ka faj”.
Shiu i ëndrrës nerudiane pikoi gjithashtu në vargjet: “E di| do të kthehesh në mbrëmje| tek vetullat e mia| kam frikë| do të jetë vonë...”
Në njërën nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi “Dua”, Fatimja vetëm në gjashtë vargje plotëson kuptimin e jetës: “Dua të dashurohem| vetëm një herë| dhe të qaj| dua të uurej| vetëm një herë| dhe të qesh...” Vaji dhe gazi, dashuria dhe urrejtja marrin e japin me njëra-tjetrën, pleksen me bukurinë ëndërrisht të ëmbël dhe me vezullimin egërsisht të bukur – që të japin më në fund fytyrën e njëmendtë të jetës.
Një klithmë tjetër e po kësaj etydeje, plot hije-dritë, shqiptohet në vjershën “Nuk vdes”: “Një ditë do të bëhem| zjarr| e ty do të të djeg|| nuk vdes pa e kryer| amanetin deri në liri”.
Konceptit të vet për dashurinë si trung dhe lule e kësaj jete, Fatimja i vë kulm në vargjet: “Edhe sa dimra| të sillem rreth teje| dhe hiç| pastaj të vodha një natë| ishte vjeshtë| binte edhe shi” si dhe me vargjet e vjershës “Nëntë plagë”: “Nga sytë tu| i kam marrë nëntë plagë| të dhjetën nuk e dua”.
* * *
Siç pamë, në këta tre libra lirikash, zëri i gruas mbeti i kthjellët, i sinqertë, i zhveshur nga hipokrizitë, nga klithmat e shpifurae e nga patetika anakronike. Këtë dua ta kuptoj, mbi të gjitha, se pa marrë parasysh mynxyrat e katrahurat nëpër të cilat kaloi gruaja, kurrë kurrgjë s’e zmbrapsi atë të mbërrijë te portat e këngës dhe të vjershërojë për jetën, gëzimin, fëmijën e dashurinë me zërin më të qashtër e më të sinqertë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://agron-shele.webs.com
 
TRE ZËRAT EMBLEMATIKË TË NJË LIRIKE
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Galaktika Poetike ATUNIS  :: Kumte dhe Ese-
Kërce tek: