Poezi nga Raimonda MOISIU
Raimonda Moisiu
Shpirtra të pafajshëm
JO ARMËVE KIMIKE NE ATDHEUN TONE! Gjigandët e përjetshëm të pangopësisë së uritur,
Me fytyrat plot “make up”- elegante dhe engjëllore,
verbojnë bukuritë e jetës, shkojnë para duke i fikur,
qirinjtë prej argjenti të Paqes shpirtërore…
Shkojnë para dhe kryqëzojnë shpirtra të pafajshëm,
që rrojnë nën pranga ëndrrash, shpresash e dashurish,
Gjaku i vetndezur për hakmarrje, zhyt botën,
nëpër terrin e palexueshëm të urrejtjes dhe babëzisë…
Shpirtrat e pafajshëm enden si pelegrinët buzëplasur,
sypërskuqur, vështrojnë nën agoninë e qiellit të grinjtë,
që “vjell” lotët e frikës, paqes dhe urrejtjes,
dhe lag gropën e vdekjes apo pemën e jetës….
Vdekjes askush në botë nuk mund t’ia ndalë lirinë,
si mace e zezë vjen, të prêt rrugën, ditë a natë
kur ta ka gjetur derën, e shqyen atë me forcë,
të ndryshkurat mendeshe këndojnë të kobshmen serenatë:
"Përmbi varri tim,përmbi varri tim,
lule të më mbillni, lule të më mbillni,
Kushdo që të kalojë, kushdo që të kalojë,
Mua të më kujtojë,mua të më kujtojë!"
JO ARMËVE KIMIKE NË ATDHEUN TONË!