Poezi nga Namik Selmani Namik SelmaniStinët e largëtaNga stinë të largëta moshe vjen zjarri i paharruar!
Na la një vatër të nxirë me ca shkarpa të hedhura, të thara.
Atëherë rinia na jepte forcë kreshniku ndër duar
Të ndiznim dhe në dëborë gjoksesh oxhakun tek vatra.
Na sillnin aq pranë ca shira që në kohë u bënë trëndafilë!
Na sillnin ca gotëza kaltërore në sytë e tretur si sheqer vitesh
Të kujtohen livadhet që vetëm për ne sillnin lule, gaz e blerim?
E kopshtijet që vetëm për ne piqnin në degë frutat me shije?
O stinë të largëta që bëheni memece dhe ecni si invalidë pa këmbë
Nuk ju ndjek dot as me fladin që çel lulet e pavyshkura të shpirtit
Ju prek me duar e sërish mbetem duarzgjatur që shtrin një pëllëmbë
Ju vë në arkiv ku mungon shpesh Kodi sekret i Rikthimit.
E sot hedh në supe ca çarçafë a jorganë në shtratin që ngjan si rrënoja
Po ato grisen e oh, asnjë mjeshtër nuk i bën më si dikur
E thërras sot stinët më të afërta me ca fjalë nostalgjike petalenjoma
Ku mbetem herë lypsar fytyrëvrarë a mbret i pagjumë.
O stinë të largëta ju dua mes ditëve që do të shkel nesër!
Fisniku i Gostivarit
(Kushtuar Sandulla Zendeli (Daja) me origjinë nga Gostivari që prej 50 vitesh jeton në Suedi dhe kontribuon për kullturën kombëtare)Ku dimrat suedeze hedhin stinëve shall dëbore
Blerimi i syve të ty më sjell kudo katër pranvera
Qofsh dritë e re, professor, mes dritash madhështore!
Që të rizgjojmë së bashku mençurinë në breza.
Ta duam kalërimin në lëndinat arbërore të VATRËS
Aty ku kujtesa për ty është pragu që kurrë s’kallet .
Të jemi farkatarë për gazin e truallit të lashtë të BACËS
Të jemi maratonomakë që s’kanë stacion ku të ndalen.
Të vjen aty Gostivari ku dhe druri i Sharrit kthehet në penë.
E dielli i Pollogut të vjen si të ishte zjarr Prometeu
Fisnik të duan, ku fjalëshqipja kthehet në legjendë
Ku djepi arbëror na kujton një qiell të dashur atdheu.
Aty qofsh një lule Gostivari në një vazo shqiptarie.
Librat radhiti si uratat e ngrohta dhe ëmbëltore të nënës
Hej, o fisnik i ushqyer në një vatër dhimbjesh e kopësht lirie
Të duam si pjesa më e bukur filizore e ëndrrës.
Kur dimrat suedezë nxjerrin nga mot dhëmbët e bardhë
Zgjohet një pranverë shkronjash shqiptarie si ortek me lule
Aty, lumturia jonë ndalet, skuqet e hedh bukurisht spirancë
Ylberet e mençurisë të së ardhmes na bien të gjithë ndër supe.