Poezi nga Vullnet Mato
SHKOJ NË PYLLShkoj në pyll. Rruga e gjelbër
më thërret në përditshmërinë e heshtjes.
Pyllin e dua dhe më do si blerimin e tij.
Pse u vonove? Më pyesin gjethet me kureshtje,
duke më vështruar miqësisht, si mijëra sy.
Hapat e frymës sime,
më shpien aty vetvetiu,
si somnambul që del në orët e para të agimit,
me një fletore ylberore palosur pas shiut,
kur oksigjeni shushuritës
përhap aromën e blerimit.
Në njërën nga ditët e rinisë së parë,
ahu plak, i ngarkuar
me zogj dhe fole te krahët,
më pyeti:
Pse bie era det, more djalë i mbarë?
Vij nga viset Joniane!, thashë me zë të pakët.
Plaku mjekërgjelbër qeshi,
duke tundur degët nën tëndë
dhe më shtroi hijen e freskut mbi barin veror.
Këtu do biesh era këngë, më tha hijerëndë.
Dëgjoi të gjitha ligjërimet e zogjve në kor,
kur i këndojnë stinës të gjithë bashkë,
pi cicërimat e ëmbla, si gllënjkat e burimit,
dehu me shushurimat e frymëzimit tim të lashtë
dhe këtu do bëhesh patjetër
poet i blerimit!...
Aty, mes klorofilit të gjetheve të dëndura
dhe këngëve të zogjve bishttundës,
më gjeti Diana, e bukur, si vet perëndesha.
Ajo më deshi si e marrë
dhe si i çmendur e desha.
Nga puthjet e blerta,
çelnin gonxhe buzët tona aguridhe
dhe lidhnin kokrra të kuqe
lirishtat me luleshtrydhe...
Derisa në shtratin me gjethurina të thata,
u ngjiz fëmija
dhe lindi vajza e parë, poezia.
Pastaj flora vegjetative dhe ozoni pyjor,
mbushën me vargje tërë jetën time.
Dhe prapë shkoj në pyll,
të shtyj ditët e thinjura të trokut kohor.
Se aty nën gjethet e rëna nëpër vjeshtra,
kam gjurmët e kujtimeve të rinisë nostalgjike,
arkeologjinë humusore me eshtra,
të fosilizuara nëpër vite frike...
O pylli im i shtrenjtë,
vetëm ti ma zbut e bleron shpirtin tim të trazuar!
Sepse ti më ke dashur si baba i vërtetë,
dhe më do me sinqeritet prindëror të kulluar
edhe tani kur jam bërë tri herë baba vetë,
dhe mësova qëndrimin vertikal përballë botës,
nga shembulli i mbijetesës tënde shekullore,
duke shtrirë rrënjët në thellësi të tokës
dhe zgjatur degët në kaltërsi qiellore...