Poezi nga Vullnet Mato TË KAM DASHUR MIZORISHT...(Lirikë për brengat e pamundësisë) Unë do të vdes përpara teje,
këtë gjë, ti e di, natyrisht.
Por do të jem përmes çdo reje,
tek ajri që do thithësh rregullisht.
Ti, mua do të më shikosh,
brenda rrezeve të çdo ylli.
Do të jem degë, kur të kalosh,
nën pemët e çdo pylli...
Te çdo gjethe do kem qëndruar,
kur të shpërthejë blerimi i ri,
si një flutur krahëshkruar,
që hap krahët veç për ty…
Do të jem te çdo fije drite,
që do të hedhë mbi ty agimi.
Balli në verë kur të flladitet,
dije se fresku është i imi.
Ëndërruam shpesh bashkimin,
Por s’qe e mundur, çuditërisht.
Brenga asnjërit s’i jep fajësimin,
përderisa fati na pengoi egërsisht...
Unë do të vdes përpara teje,
por ti mendjen, natyrisht,
s’do ta heqësh kurrë prej meje,
sepse të kam dashur mizorisht…