Poezi nga Vullnet MatoTË GJALLËT, PA TRUP... Ka dy rrugë për në varr,
njëra e shtruar me dafina,
tjetra me gjemba murrizi
të shpie direkt në ferr.
Populli ta shtron udhën,
ndryshe nga familja,
siç ua ke lënë ti njerëzve,
me dritë, ose terr...
Ka njerëz të fshirë
nga ekzistenca krejtësisht,
për ligësi e makutëri
të bëra në interes vetjak,
por ka dhe të ngritur
në piedestal madhërisht,
pasi jetën ua kushtuan
të tjerëve përqark.
Ata që derdhën të tërë
vitet e jetës për të krijuar,
shpikjen që shtyu hapat e botës
drejt përparimit njerëzor.
Dhe të tjerët që falën pasurinë,
prej etërve trashëguar,
të çimentonin kolonat prej balte
të kombit të lashtë arbëror.
Dikush mund të thotë,
ç’më duhet mua monumenti,
mjafton ta bëj jetën time
në luks e begati pronari..
Po... veçse, ata që ke zhvatur,
ose zhdukur për momentin,
kanë prapa të tjerë, që të lënë
pa emër e pa asnjë shenjë varri...
Aq shumë njerëz kanë ardhur
dhe janë fshirë nga jeta,
sa toka nuk numëron
përsipër dheut, gurët e zallit.
Janë shkruar dhe shuar
regjistrave, me miliarda veta,
por pak kanë mbetur të shkruar
në kujtesën e ajrit;
Mbeti esenca e mendjeve
të vëna në garë mbijetese,
nga tërë ardhjet në glob
gjatë riciklimit jetësor;
nga shoshitjet shekullore
të miliarda vdekjeve inerte,
mbeti vetëm produkti
i ndritur i floririt njerëzor.
Pra, mbetën gjallë vetëm ata
që vitet i lanë pa numëruar,
pa përjetuar ekstaza qejfi,
apo dëfrime, si të mbretërve.
Ata që vdekja i priti me dhimbje
e keqardhje të papërshkruar,
që ndonëse pa trup, të gjallë mbetën,
mes gjithë brezave të njerëzve...
Së fundi natyrshëm, lind pyetja,
te çdo lexues i kësaj poezie:
Nga timonierët e shumtë
që ka sot ky vend, cili vallë,
mund të mbetet në oksigjenin
e kujtesës së kësaj Shqipërie,
të mbijetojë kohën e përjetshme,
pa trup dhe përsëri i gjallë?...