Poezi nga Vullnet MatoSHPIRTI PREJ ZOGU KËNGËTARKam shpalosur
qysh herët në fëmijëri,
tiparet prej zogu këngëtar
të shpirtit tim.
Qëkur një bilbil gjyzar
përmbi qershi,
më magjepsi, sapo zbardhi
drita në agim...
Kënga e atij bilbili
më këputi telat e shpirtit,
dhe qenia ime zuri befas
cicëronte si zog.
Më pas fillova gjatë gjithë
stinëve të vitit,
të shkoja pas zogjve të lumit,
t’i bëja shokë.
Ndjeja brenda vetes
meloditë e ëmbla të tyre,
dhe fole zogjsh në pemët
me blerim përherë,
ku bilbileshat ushqenin
sqepat e hapur me cicërime,
degëve të shpirtit,
me dymbëdhjetë muaj pranverë.
Atëherë, kuptova arsyen,
pse ndryshe nga shokët e mi,
nuk prishja foletë e vezëve,
shelgjeve në verë
dhe nuk vrisja me llastikë,
zogjtë e lumit valëflori,
ku më lindi, një nënë thëllëzë
dhe një baba skifter.
Ndoshta zotat e gjallesave,
ma kishin mbushur frymën,
me mëshirën pa kufi
dhe keqardhjen hyjnore,
të mos vrisja as milingona,
as gjarpërinj tinëz,
se edhe në shpirtrat e tyre
aspironte jeta frymore.
Nëpër shkurre të dendura
bëra miq gjarpërinj pikalosh,
se pija me doza të pakta,
helmin e tyre vdekëtar,
zbutur në filxhan sheqeri,
nga një dervish mjekrosh,
që kish kuptuar shpirtit tim
prej zogu këngëtar.
Gjilpërat e pickimit,
me dy gjuhë të holla pulsive,
të rrëshqanorëve helmues
me rendje zigzage,
më tërhoqën të kërkoja,
lëkurat e ndritshme të tyre,
kur i ndërronin me të reja,
nëpër ferrat gjëmbaçe.
Me ato lëkura,
transparente pika-pika,
bëja kordele si flutura,
për vajzat fustaneholla,
t’u hiqej sa qe e mundur
neveria dhe frika,
nga nepërkat laramane
dhe kuqalashet bolla;
Të mos vraponin kot
me britma e klithma,
shpesh dhe me kofshët
bardhoshe shpërveshur,
duke më bërë kureshtar
të paduruar të shihja,
ç’mund të kishin ato
pak më sipër fshehur...
Kordelen me të bukur
bëra për një vërsnike,
një kanarinë shtatë vjeç,
që burrë lodrash më mori.
Fjetëm bashkë në folenë
me kashtë misërnike,
po ç’kish sipër gjunjëve,
nuk ia pashë dot nga zori...
Këndoja me bishtëkaltërit,
gjithë orët e ditës verore,
hipur kalikiç mbi degët
shelgjishte të lumit.
Me pipëzat e bëra,
nga gjethet e njoma blerore,
cicëroja nëpër hije,
gjersa më kaplonte gjumi...
Më pas, floririn e djalërisë
dhe të burrërisë e harxhova,
për koncerte zogjsh,
në të gjitha arenat e letrave,
ku njoha zëra fluturakësh
të çdo vendi ku shkova,
teksa debutonin mes bilbilave,
gjinkallave dhe ketrave.
Tani, kur koha e frymës,
afroi të nisë udhën qiellore,
si gjithë zogjtë që vdesin
mes reve në avullim,
ndjej se kam shpalosur,
deri në palcën eshtërore,
tiparet prej zogu këngëtar
të shpirtit tim...
Kur të vdes, dua në funeral,
të vijnë tërë shpezëria,
bilbilat të këndojnë
baladën e vajtimit tim...
Kush ka pëlqyer pjesë
nga ligjërimet e mia,
do t’i lë një copë fryme,
ta ketë për kujtim...