Poezi nga Vullnet MatoNUK NDJEHEM MIRË NË TIRANËNuk ndjehem mirë duke jetuar në Tiranë,
siç mund të jetoja në një kryeqytet tjetër.
Vajzat fshehin bukurinë pas mjegullash me duhan,
djemtë më prishin humorin me fjalor të qelbët.
Hallexhinjtë që ecin udhëve duke folur me vete,
më bëjnë të mendoj se gjendem në çmendinë.
Të tjerët i mban lidhur celulari me fije bisede
Dhe s’kam me kë të flasim për poezinë.
Tregtarët kalbin frutat, derisa nuk shiten,
pa ndryshuar shifrat vulosur në etiketë.
Kur i zbrazin nëpër kosha plehrash pasdite,
më duken pa vlerë paratë që kam në xhep.
Sikur ta kisha muajin me dhjetë milionë,
prapë s’i kënaqja dot të gjithë lypsarët,
dhe shmangem prej asfalteve me neon,
ku shpesh nga trishtimi, më merr të qarët...
Këtu grahma e rëndë e përbindëshit të zi,
shfryn pluhur dhe tym të hidhur nëpër erë.
Karboni më vret rruazat direkt në mushkëri
dhe kam frikë se vdes i mbytur, si në minierë.
Dua të iki diku, sa më larg këtij kryeqyteti,
po ku të shkoj, si Naimi përtej Stambollit,
kur donte të shpëtonte nga rrëmuja e rrëmeti.
Të paktën ta kem vdekjen brenda kontrollit?!...[/b]