KËNGËT E MALLIT Cikël poetik nga Hamit TakaPËRGJËRIMI I NËNËS
Ç’më ike, o bir, herët në kurbet
Dhe kokën s’e ktheve më këtu!
Me tinguj malli ende trokasin
Në zemrën tonë hapat e tu!
Si e harrove, o xhan, ti shtëpinë!
Si s’të dhimbset më ky vendi yt!
Edhe nusja, që e le pa sqimë,
Këndon çdo ditë një këngë të trishtë!
Ajo tani është me atë tjetrin,
E gjora s’na shikon dot në sy,
Po të madh e ka ende respektin
Për babanë, që e sheh me zili!
Në breg të lumit shkon ai i shkreti,
Qan atje si foshnjë me lot,
Kujton anijet që nisje drejt detit
Ngarkuar me ëndërra e dëshira plot…
DJALIOh, puthmë, moj nëna ime,
Në ëndërr dhe në gjumë,
Në gushë e faqe puthja-
Dallgë e bardhë me shkumë;
Ke parë, ti, luzma bletësh
Mbledhur degës në pyll,
Ashtu i ndjej unë netësh
Sytë kur i mbyll;
Nga shtëpizë e vjetër
Ç’më ngroh ky zjarr i nënës,
Mbi çatinë me rrasa
Përthyhet dritë e hënës,
Vjen e zbetë tek unë
Rezja në dritare
“Si, më thotë e prekur,
E harrove nënën fare?”
Pranë vatrës nëna
Kruset e mërdhinë.
Ia nis mallin e thekur
Gëzof t’ia vesh shtëpinë;
Ah, moj nënë, nënë!
Sa të mbrij atje
Do të ngrej në krahë
Si era grurin ngre!
NËNABir, gaz më paç dhe shëndet!
I lumtur qofsh, gëzofsh rini!
Shokë e miq ti paç përrreth!
Mos mbetsh qyqar në vetmi!
Po ti na e bëj një zile, o bir,
Të mbushet shtëpia me mallë
Si atëherë kur luga kërciste
Në tasin e mbushur me dhallë!
Çoi dhe vajzës të fala, shëndet,
I thuaj një gënjeshtër së largu
Falje i kërko për ato vjet
Kur gjëmonte dashuri te pragu!
Si pëllumbeshë hynte e dilte
Dhomat na i mbushte me gëzim,
Flet më fletë flladi frynte
Ilaç më bëhej për shërim!
Le të varte kokën babai
Kur e puthje tinëz prapa derës
“Sa i lumtur qe, thotë, qeratai
Sa mirë do ishim ne të tjerët!”
Do të mbanim ne nipçet në duar,
Me këngë do na mbushej jeta
Dhe hëna do të dilte e gëzuar
Si lodër do varej mbi plepa!
Po, nejse, ti të jesh mirë!
Ruaj shëndetin, bëj kujdes!
Në se një ditë ti vjen me dëshirë
Krahëhapur nëna do të presë!
Dhe gjumi atëherë s’do t’më zërë
Gjersa nusja të na kthehet prapë,
Atë tjetrin ajo do ta lërë
Në krahët e tu do hidhet me vrap;
Do të jemi, o bir, të lumtur
Familjarisht të gjithë së bashku,
Kur të kalosh me nusen e bukur
Do këndojë e gjëmojë sokaku!
DJALI NUSESTi thua se të lash, shan dhe mallkon?
Atje rreth teje zemra ruan, vigjilon;
Mallin e merr era, përkund arat me grurë
Më sjell këtu aromën e bukëve në furrë;
Kur nis e këndoj nga halli jo nga malli
I butë si qerpiku yt rëndon gjumi te balli;
Si thëlëzë që fle lëndinës në trifil
Në ëndërr më del vajza mbi gjoksin tënd e shtrirë;
Çohem në mëngjes ç’shikoj në pasqyrë?
Krahët e tua fllade drejt qafës sime shtrirë;
Gruaja ime e bukur, moj e mira, moj,
Lermë të të themë fjalë të ëmbëla hojë;
Deti le të thahet, qielli le të ngrijë
Ti mua pritmë, pritmë se do të vij!