Poezi nga Genta Sahiti
***Ah, sa tradhëti mbi gra!
E njoh këtë jehonë të thellë prej kohësh,
kane kalue ktyne shtigjeve mbi udhën
e trupit që ka pshtue shtrëngatash,
pa ja mshel sytë vetit.
Ti ishe vetja jote ma e mirë,
versioni i zanave të malit që thirren shtriga
prej trimave t'mbushun frikë që gjethin e vjeshtës e kanë ma t'randë se arkëmortin, këllira që edhe me i shkund
nuk jua gjen zemrën kurrqysh.
Duket urrejtje, por asht revoltë që don
me djegë e me shemb padrejtësitë që të ngarkoi jeta, nji mal si zhguall mbi kurriz. Hidhmi poshtë po deshte!
Tash tē njoh e ti hiç mos fol!
Të tanë duen me shiju bukurinē tande,
pa ditë me hy nē mrendsi t'shpirtit tand
që asht nji labirinth i njomë si burimet
e Veriut që kanë etje për dashni t'pastër
e nuk ngopesh tu pi e tu pi.
Po ç'randsi ka kjo përpara nji nazllëku,
para nji perqafimi tan aromë shpirti.
Nji dashni e plotsume kudo që arrihet,
mbetet shije me dëshirën të kthehesh,
të kthehesh, të kthehesh pafundësisht.
Të dukem budallaqe, ë?
Ndoshta e shkela, por e bana me qëllim.
Ftyra jote sot më trembi, më smuri.
E shkreta Rozafë mbulue ne dhé
E ty as gji, as dorë me përkund nuk t'lanë jashtë.
Shkrova shumë llap- llap, po nuk lshohen dy fjalë si glasë zogu e me ikë.
Unë jam çikë si ti, nanë si ti.
Ernat fryjnë me rradhē, ajo bredh në rrugët pa tabela. Qyteti memec pikon vner mospërfillës, dashni t'papjekuna, brumë i thartuem, qiell bosh, toka bosh, zbrazti...
Njerëz t'parritun, t'pa yrrnek.
E nesërmja vetëm e nesërme s'mundet me qenë.
Afrohu ta ledhatoj ballin...
E di, jam vonë.
Nuk t'ka pëlqye heshtja jeme.
Me shkrue për zemra t'trondituna e t'plagosuna, asht me zbrit deri te ndjesitë drithëruese e me u nda si shinat e trenit.
Po unē femën jam, bukuri që vret.
Shumē krenare me u nënshtrue.
Herë jam xhind, herë sfinks, jam dhe burrë i ashpër, herë-herë vajzë që t'merr në qafë, herë si plagë, herë si dashni, shpesh si dëshirë e makth. Herē ngrij, herë përvloj. Sa pinë ujë në kroin tem ju shtohet etja, mandej bahem urë e i nxjerr matanë....