Poezi nga Kolec P. TraboiniNJË VERË E NXEHTË
QË S’KTHEHET MËAi breg i detit aq i nxehtë
e ajo verë krejt e harbuar
shkrinte brenda meje akuj
me trupin tënd të përvëluar.
Dhe dallgët vinin, shushurinin,
zogjtë grindeshin nën fletë,
me xhelozi dhe yjtë binin
në atë verë, në atë det.
E pres sërish, sërisht të kthehet
tek ndrrohen stinët një nga një,
pranvera, vjeshta, dimri vinë,
por ajo verë nuk kthehet më.
Sepse tani koha ka ikur,
të dy ne jemi në stinë të huaj,
por atë zjarr të përshkënditur
nuk ka as lumë, as det ta shuaj.
TAKIMI I FUNDIT ME POETIN RRESHPJAIshte tek shkallarja e Bibliotekës,
i mpirë më pa me sytë e tij të hirtë
përtej të cilëve kish vendosur botën,
kish vendosur njerëzit që e shihnin përskaj.
Krejt të pangjashëm me sy të tjerë ata sy,
më bëheshin një vështrim prej kaprolli,
sy të lëngështuar nga lotët e heshtjes
dhe mundimit për të mos folur me fjalë,
por me vështrim të përhumbur, të largët,
rrekur në domethenie se ndoshta,
kushedi ... do shihemi.
Iku si dhembja e një shekulli,
shelg lotues në lëvizje a shterg i plagosur
me atë kostumin e vjetër prej endacaku,
liriku më i madh i poezisë shqipe.
Po shkonte, po ku - ai nuk kish shtëpi,
as një shtrat ku të dremiste kokën,
veç në paçin qënë shtëpi imagjinare
sa të tilla kish ngritur, sa dashuri
kish ngjizur dhe fëmijë kish bërë, me të
dashurën Lora që e kish "varrosur" me duar.
La frymën si brymë mbi bar e mbi fletë
duke përshëndetur me kapelën e vjetër
si lulekëmbanëz qielli - iku pa kthim
se koha nuk e ndjente të nevojshme
mjeshtrin e fjalës si dhëmbje e trishtim.
Atë zog shiu që këndonte
psallmet e lindjes dhe perëndimet,
zemërkyçur në mermer që njëmijë vjet,
me shpirt të plagosur si vetë poezia,
metaforë e shqyer prej absurdit
në të cilën arti mbijeton si handikap
e jo si dhunti njerëzore.
... Kurrë më nuk e pashë
kurrë më nuk e takova
veç në pastë botë tjetër ku takohen poetët!