Cikël poezish nga Vëllimi Poetik " Kurorë me ngjyra" i autorit Arqile Gjata
Arqile GjataKur dikush shkruan në moshë tepër të re, ia lexojnë vargjet me mosbesim dhe duhet të kalojnë vite ta quajnë poet. Kur dikush tjetër fillon në moshë të madhe të hedhë vargje në letër, përsëri ia lexojnë vargjet me mosbesim dhe i thonë se i kanë kaluar vitet për t’u quajtur poet. A ka moshë krijimtaria?
Shumë figura të shquara të letërsisë botërore, pyetjes “përse shkruan?”, i përgjigjen në mënyra krejtësisht të ndryshme. Disa e quajnë sëmundje, të tjerët ethe apo virus, disa shkruajnë sepse nuk mund të rrinë dot pa shkruar, ndonjë e quan letërsinë tempull të shenjtë ku falet e nëpërmjet tempullit të saj rrëfehet... Sidoqoftë të shkruash është gjë e bukur... Nuk përcakton dot moshë si në sporte.
Edhe A. Gjata shkruan sepse e ndjen së brendshmi poezinë e jetës, e cila e thërret ta regjistrojë në letër, thirrje që ndoshta e ka ndjerë që në të ri, por rrethana të tjera nuk e kanë lejuar t’i përgjigjet. Duke lexuar këtë libër të tij, dua ta përshëndes për ndjeshmërinë poetike e cila dëshmohet nëpër vargje të tillë, të cilët vërtetë të emocionojnë e të bëjnë të mendosh: Ringjallja lakmon/ dashurinë e humbur dikur”... ose “/ do të jem legjendë ose qytet i braktisur.- te poezia “Në vitin 3942”.
Po kështu ndjeshmëria thellësisht njerëzore shprehet bukur artistikisht te poezia “Varri i peshkatarit”: “Peshq me sy të përlotur/ shoqërojnë kortezhin nënujor/ të peshkatarit.
Duke i mbyllur këto dy fjalë për librin e ri të Arqilesë, do t’i uroja atij që në të ardhmen të kishte sa më shumë vargje të tillë, si te poezia “Në orën shtatë të mbrëmjes”:
Në orën shtatë të mbrëmjes/ ngjitin shkallët portretet.
Hiqmet Meçaj
PEMËTTri herë në fundshekulli
bien gjethet në të çelur
krahë degësh thyheshin me xhelozi.
Trungje pemësh harlisur
gjymtoheshin sipas kanunit.
Heshtnin pemët fytyrëpërcëlluara
me flokët prerë gëzhdallë nga erërat.
Kokrrat e pemëve pa lëng e ngjyrë
Ligështuar nga kolla e ligë e të ftohtit.
Pemët rrënjëdala
vyshkur dhe gjumashe
presin dritë nga vetëtimat
dikur majë maleve,
për të mos rënë në greminën
e gjetheve vjeshtake.
RRUGA EGNATIARruga e kohës së shpatës,
rrugë e gjatë, e gjatë ...
shtruar me patkonj kuajsh,
zgjatur deri tej në Stamboll.
Fluturuan shekuj. Kuajt
trokisnin nëpër gurë.
Në rrugën Egnatia
kaloi koha e triumfatorit të madh.
Trupa të veshur me metal
tërhiqnin osh skllevër e qerre.
Akoma gjenden vijat e lëna
nga nxehtësia e shpatave.
Ndër ura dhe nën gurë
shpirti u ka mbetur në këtë udhë,
rreth e rrotull ka mbirë bari,
vetëm pak shenjë nga porta e artë
Se brendësia e rrugës akoma ka zë
Dyrrahu, Skampia, Monastiri,
Selaniku dhe Stambolli ...
Shumë e gjatë rruga Egnatia.
IKE LARGTani që u largove
nuk kam dritë në sy,
kam një re të pluhurosur
Peizazh i natës së fundvjeshtës,
ré e spërkatur nga pendët e pulëbardhave,
kredharakë nëpër valë.
Ike larg,
më larg se retë,
nga nata e ëndrrave.
Mbete e vetme ti,
nëpër ullishte drejt meje
vjen e më kërkon.
Në të gdhirë fërkon sytë,
mavijosur si guva shpelle
mbi bregun e thepisur,
ku vala godet
kujtimet e këmbëve të zbathura
Unë e ti-një i vetëm.
NË VITIN 3942Në Qershor 3942 do të lind Unë, përsëri
kështu më thanë një natë në ëndërr.
Dielli do shtyhet në honet qiellore
në një botë tjetër të çuditshme.
Në realitete ëndrrash
do vij si ndonjë shtegtar
me trishtime të begata.
Ringjallja më vjen si një heshtje e bukur,
që nuk e them dot,
vjen si një ikje nga rruga e qiparisave.
Ringjallja lakmon
dashurinë e humbur dikur.
Në vitin 3942
do të jem legjendë ose qytet i braktisur.
PËR ATA QË IKËN VETËAta që ikën vetë
eshtrat na lanë dhuratë
të një ndërgjegjeje ndërtuar me gurë
Ikën pa këpucë,
kështu do jenë më afër të vërtetës.
Ata s’i përfillën gëzimet e ëndrrave të kota.
Si një violinë që jehon lëngatë
ata ikën të verbuar.
Karkalecat e mashtrimit u vodhën sytë.
I lanë me plagë të shqyera
përballë njeri tjetrit,
me kujtimet e tyre që akoma kanë zi...
VARRI I PESHKATARITThellë në mesokanal,
nën algat dhe guaskat,
mbretëria e peshqve.
Ka hapur një varr
për peshkatarin,
varr me rërë dhe ujë të kripur.
Peshq me sy të përlotur
shoqërojnë kortezhin nënujor
të peshkatarit.
Delfinë veshur në zi
këndojnë këngë vajtimi
të viteve detare.
Tufa pulëbardhash,
lidhur krah për krah,
qajnë me ligje për mikun e tyre
peshkatar.
Arkivoli mbi spirancë
godet pllakën e funddetit,
rëra kristal ari
mbulon varrin e peshkatarit!
GALAKTIKA ANDROMEDATek galaktika ANDROMEDA
yje mahnitëse ...
Rreth tyre fluturojnë zogj të fjetur.
Dy gurë vezullues
varur mbi një ujëvarë qiellore,
atje janë shpirtrat e pagjumë;
Ferri dhe Parajsa
Kur ANDROMEDA është e uritur
qan si binjake për shpirtin e poetit
shtegtar nëpër yje
Shpirti pa folé
nuk ngopet duke puthur
me gojën e përndezur
erërat e pafundme të dashurisë!
KAFKADielli i mëngjesit
si një fytyrë lebroze
hodhi dritë në lagjen e varreve.
Mbi një rrasë kafka e ardhur nga larg
trokiste varr më varr.
Me dhëmbët e krimbura
kafshon kryqet e emrave të harruar
kafka e motshme dikur gjení
bridhte pas vdekjes.
fantazmë,
e uritur,
e pagjumë,
rrëfen tmerret e vdekjes.
Kafka lutet të jetojë përsëri
jetën e shkuar me kushte moderne.
Kushedi se në ç’fije floku
mbas kaq shekujsh do të thithë dashuri,
në cilën vatër do rikthehet
përsëri kafka gjení ...
PËR TY VLORËEdhe pse larg...
shihemi sy më sy
Me kënaqësi unë dhe ti Vlorë.
Për ty Vlorë
gjithmonë më shëtit mendja ...
ku klitha dhe putha frymën tënde,
ku shijova bukurinë e parë.
Gjithë kohën përqafova rivierën,
tërë ëndrrat me ty i gëzova
dhe qetësisë i dhamë zë
me këngët tona.
Kur pulëbardhat flinin përmbi valë,
ti dhe unë në kulmin e marrëzisë
mbetesh fotografia më e bukur e shpirtit tim.
Në se një ditë
bregu i detit do të thahet,
unë dhe ti do të qajmë
sa të rimbushet përsëri