Galaktika Poetike ATUNIS
Galaktika Poetike ATUNIS
Galaktika Poetike ATUNIS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
Galaktika Poetike ATUNIS

Galaktika Poetike ATUNIS
 
ForumPortaliLatest imagesRegjistrohuidentifikimi
Kërko
 
 

Display results as :
 
Rechercher Advanced Search
Tema Fundit
» Mourning - Poem by Shoshana Vegh / Translated into English by Gaby Morris London
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptyMon Aug 15, 2022 4:19 am nga Agron Shele

» Angels Bless Us In Sleep / Poem by Linda B. Scanlan
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySun Aug 14, 2022 9:58 am nga Agron Shele

» From a mother to her special son / Poem by Ernesto Kahan
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySun Aug 14, 2022 9:32 am nga Agron Shele

»  Natalie Arbiv Vaknin (Israel)
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySun Aug 14, 2022 9:27 am nga Agron Shele

» Poezi nga Grigor Jovani
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySun Aug 14, 2022 1:34 am nga Agron Shele

» KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA (Përsiatje mbi librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj) / Nga: Timo Mërkuri
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySun Aug 14, 2022 1:17 am nga Agron Shele

» Kalendari poetik: Sibilla Aleramo (1876-1960) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySat Aug 13, 2022 10:50 pm nga Agron Shele

» Lost Peace… / Article by Nahide Soltani
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySat Aug 13, 2022 11:04 am nga Agron Shele

» UNDEFINED / Poem by Jagdish Prakash
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySat Aug 13, 2022 11:00 am nga Agron Shele

April 2024
MonTueWedThuFriSatSun
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930     
CalendarCalendar
Statistikat
Forumi ka 54 anëtarë të regjistruar
Anëtari më i ri Franca

Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 924 artikuj v 818 temat
Sondazh

 

 Cikël poetik nga poeti Namik Selmani / Trëndafilët e Prishtinës

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Agron Shele
Admin
Agron Shele


Male

Libra Join date : 09/01/2012
Age : 51
Location : Albania

Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës Empty
MesazhTitulli: Cikël poetik nga poeti Namik Selmani / Trëndafilët e Prishtinës   Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës EmptySat Mar 23, 2013 5:06 am


Cikël poetik nga poeti Namik Selmani

Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës Portre10
Namik Selmani

Cikël poetik nga poeti Namik Selmani /  Trëndafilët e Prishtinës Namik_11

Trëndafilët e Prishtinës




1.Trëndafilët e Prishtinës

Sa trimëroshë që qënkeni, o trëndafilë të Prishtinës
Që çelkeni edhe në dimrin më të ngrictë e më të egër.
Në cilën baçe shpirti ushqehet filizi që shkon drejt kaltrinës?
Në cilën zemër ndaleni për të gdhendur petalen e fshehur?


Po sa trimëroshë që qënkeni, o lulegjakëtit e Prishtinës
Që skuqni gjithë duart e nënave dhe motrave më tepër se gjaku.
Mos vallë etja për liri ju ngrohu në të gjithë ditët e stinës
Tek vini ngjyrën tuaj të skuqur në cohën e barjakut?


Po sa fisnikë që qënkeni, o trëndafilë të Prishtinës
Në këtë truall të paqtë bisku i blertë kurrë mos iu thaftë!
Kur të kthehemi këtu, në dyer ku zemra jep urimin
Le të marrim pak nga gjakimi juaj i vënë në piedestal!


2. Sokëllima e Kryepoetit Naim Frashëri

Sokëllin pa fund poeti
Vallë ka qiell pa ylberë?
Çamëria –vetull deti
Në mes dimrit sjell pranverë
Thonë u zhdukën trarë kufinjsh
Thonë se s’do të ketë doganë
Mjerë kush hesht për Çamërinë,
Hesht e flet ky mendjeartë,
.

Qenka bërë si zog përralle
Nga mermeri zbret i lodhur
…Thonë prapë ka ujq në male
….Thonë breshkat prapë hanë barin.
Paska ftuar Marko Trimin*
Dora D’Istria ia prek ballin
Ç’është kështu, o mik i mirë?
Kush ta paska vjedhur fladin?


Ia njom buzët gluha çame
Ia heq kollën e vrerosur
Gjerdanon fjalët në vargje
Nën një qiell të vrerosur.
Tahsin Çami i vjen pranë
Plis i varrit s’e mban dot
Çamëria krahët zgjat
Rri e pret në breg, në Jon.

………………………….

Çamëria rri pranë detit
Tek ndjen zërin e Poetit

Marko Trimi- Marko Boçari
Tahsin Çami – Rilindasi i shquar çam Hasan Tahsini – profesori i Sami Frashërit

Namik Selmani

3. Kur dëgjoj këngën e Shkodrës..



Këtu ka vetëm dritë, fllad maji e sy të dashuruar
Ka rreze, urime dasmorësh, tinguj drithërimë
Pa nxjerr duhmë e vlug shpirti kalaja gurbekuar
E jarja çel dhe mbi sythe në një gonxhe trëndafili.


Këtu shpërthen gazmueshëm fjala shkodranishte
Që ta heq rrudhën, lodhjen e t’i dëboka thinja
Prag më prag garojnë brezat në një rrugë lavdie
E pranverohen mes këngësh ditët e pambarimta.

Baçallëku po na vë me të menjëherë në radhë
Teksa lulet mbijnë e rriten edhe mes greminës
Këtu nuk ka ushtarë, komandantë e gjeneralë
Ka vetëm zogj që i bien e i bien pa fund violinës

Këtu dorë e vashës prek malin, valën e gurin
Këmbë e vogël sjell beharin edhe më shpejt
O këngë shkodranishte që zgjon edhe drurin,
Na mbyt të gjithëve në parfume urimesh përjetë.

Këtu dimri ndal frymën e mbytet mes tingujve
Mbi bisk të drurëve kurorën si fitimtar e prek.
Luleborat mbysin ditët e njëqind dimrave
Shatërvanët e gazit mbulojnë diell, qiell e det

Këtu Buna rri përqafuar aq fort me Drinin
Nën dritë hëne puthet me të pa droje fjalësh
E kënga shkodrane, mbush sofra e sjell agimin
E det i lumturisë rizgjohet si Poseidoni mes dallgësh


Në bedanat e tingujve vëmë fjongon e këngës e zemrën
Zgjojmë Rozafën tek tund malluar djepin e foshnjës
Vdesim e ringjallemi mes saj të tërë vrik njëherësh
Si në asnjë skenë, prag shtëpie a në një qytet të botës

4. Identitet ………..i plagosur

******
Copëza qielli
Të vrara nga trarë të lartë doganash.
Copëza këngësh
Të ndara kaq fort nga ortekët e maleve
Copëza shpirti,
Që s’ta tregojnë ende dhimbën a gazin e kaltër
Copëza kulaçi të djegur
Që kurrë s’ta japin të saktë urtinë e fjalëve.

****
Grumbuj zogjsh
që ende çerdhojnë e s’mbajnë mend Kthimin e Blertë
Burime sykaltër
Që s’gjejnë shpesh udhëtarë t’ua freskojnë buzën.
Kush e la ujkun
Të futet në stan e të ngrejë dolli si në festë?
Kush e la dhelprën
Të marrë në gojë një bilbil e të zërë Udhën?

********
Copëza dielli
Që dyzohen nga prangat në Udhën e Dritës.
Një libër i bukur
Që të mbetet në duar pa fletët e fundit .
Ca çarçafë të gjakosur
Që virgjërinë e ëndrrës ia vrasin goditje kamxhikësh
Duarzgjatur
Drejt një shatërvani lirie mbirë në oborrin e fundit të katundit.

******
Një gjysh
që vdes pa thënë amanetin e thesarit të fshehur
Anije velëngritur
Që ende s’ka gjetur limanin se nuk e sheh FARIN
Krëhër i artë
Që vetëm dy dhëmbë të rrallë i kanë mbetur
Fjala në fyt të ngec
Se gjoksin ta gjëmbon kolla e marrë në Stinën e Zjarrit

******
Identiteti im
Gjoksplaguar që kërkon.....melhem.



5. Kaceku

Jam kacek
Që erërat e Çamërisë i kam mbyllur me shtatë çelësa
Kur të dua
I nxjerr e ngopem me flladin e jetës, me rinimin.
Flugerët qiellorë
Le të më dërgojnë sinjale pa semaforë shtigjeve të shkreta.
Të gjithë
Me duar do t’i mbys në mullinjtë që bluajnë trishtimin.


Do të bëhem këtu gjykatës
për dy cjepë që s’lënë shtegudhën e marrëzisë.
Për bujkun
që në vlagën e ugarit nuk e hodhi dot farën.
Për breshërin
Që shkretë ma la arën e mbjellë me misër
Për librin
Që kurrë s’ia hapën fletët si plugu pas brazdës.

Jam kacek
që mbaj aromën më të ëmbël të rrushit të vreshtës
Dikur
gjyshi e ka mbjellë pa pyetur për përrenjtë e djersës nën trikon e leshtë
E netët
i ka gdhirë për t’i hequr dhe gjethen e fundit në sqetull të sythit të gjelbër
Mbrëmjeve
me sapllake mushti ndër duar gjithë mirëdashësit i ka pritur dhe përcjellë.




Mos më pyet
për vitin kur kam lindur unë dhe ky shpat, kjo kodër, ky det!
Jemi të një moshe,
jemi të një shpirti që rreh nga mot me pulsin e përrallës dhe legjendës.
Ejani këtu
të zjarrmoheni nga vullkane dashurie që ngrihen për ty, Çamëri e shtrenjtë
Bëhuni
të gjithë me mua Kacekë të këngës, urimit dhe Shpresës


6. Shkon e vjen nëpër lëndina
Shkon e vjen nëpër lëndina,
kalë i bardhë me trokëllima.
Me një nuse ulur shalës .
shkumë e bardhë mbi krah të dallgës.

Shkon e vjen në një shpat mali,
kalë i kuq i flamurtarit.
Të bën bjeshka vëllam me zana .
T’i thajnë krojet buzët e thara.

Shkon e vjen ndër shpate brigjesh
kur flet ti, të gjithë përgjigjen
Qielli jep shigjeta drite.
Toka jep hambarë me drithë.

Shkon e vjen si zog ndër çerdhe .
Pa ninulla djepe mbete .
Pa shtëllungat mjegullore.
Pa qerpikët pikëlore.

Shkon e vjen e s’harron udhën
si s’harron ujin e bukën.
Si s’harron të hedhësh hapin.
si s’harron të kalosh gardhin.

Shkon ndër udhën e pasosur
Me një trastë në sup të lodhur.
Kërkon shtegun të thash djersën
kërkon dritën të shtosh jetën.

Kërkon këngën, kërkon fjalën
që t’ia thashë-o shpirtit plagën.
Kërkon qiellin mal më mal
fytshkrumbuar, shkarpë e tharë.

Në s’të ndjek kaq larg në shtigje
merr uratën që nuk thinjet!
Kërko majën gju pas gjurin!
Kërko detin me forcë burri

Namik Selmani
7. Elegji për Pjetër Budin




Kam kaq kohë që shtigjesh eci
herë në Drin e herë në Mat
Ku ta gjej një trup poeti
që ta vë në piedestal?
Kam kaq kohë që e pyes bjeshkën
Mos është bërë diku shqiponjë?”
Paska marrë një libër vjershash
Shtrëngon duart te një shkronjë.


Mos e panë karvanarët?
Mos e panë tek shkon në fshatra?
Gur i Bardhë* si jastëk malesh
I shkon pranë si nënë te vatra.
Bredh në tela çiftelie
Thinjërosh si askush tjetër .
Kush ma mbyti Plak’n e Shqipes
në atë Drin me valë kërleshur?



Hapur-o ka mbetur kulla
ëmbëlsuar rri çdo prag.
Sytë mbeten larg nga udha
se mos vjen poeti prapë.
Se mos vjen një ditë nga Drini
dhe do ulet në oxhak.
me kapuç të bardhë të dimrit
do ribëhet flamurtar.


Gur më gur kjo Udhë e Arbrit *
ia zgjon hapat, fjalën prush.
Gurgullin ky Lumë i Matit
Urë e Vashës* hapat puth.
T’u rinoftë piskamë e ëndrrës
n’Dardani e Çamëri!
Bëj një meshë për të rënët
me lavdi e dashuri!


T’u luloftë lutj’e ëmbël
e ushqyer nga besimi!
Dhe syzgjuar , dhe në ëndërr
Për ty malli s’ndjen lëngimin.
T’u lisoftë shtati, Pjetër!
T’u bëftë vëlla, një bust me shkronja!
Fjongo Mati rreth kujtesës
vulë e fortë që s’e fshin koha.

*Guri i Bardhë- fshat i rrethit të Matit që ka qenë edhe vendlindja e patriotit, poetit të parë të gjuhës shqipe dhe klerikut Pjetër Budi që u mbyt në Drin në dhjetor 1622 nga armiqtë e kombit shqiptar

*Udha e Arbrit- Udhë e vjetër në rrethin e Matit që shkon në trasenë e udhës së vjetër të Arbrit

*Ura e Vashës – toponim i një ure në krahinën e Matit




8. Ikja e poetit…

Poetit Rifat Kukaj që mbeti përjetë në brigjet e Ulqinit
1.
Po si ta prekim Ulqinin,
pa ëndrrrën e smeraldë e të zgalemtë të poetit me gjoks prej deti?
Po si t’i shkelim bjeshkët e brigjet
pa hapin e tij, pa sytë e trëndafiltë?
O këngëkroje ulqinake
lisojeni kangën e mbrame të Bacë Rifatit që zemra jonë e treti.
Mbi djepe legjendash e rrezesh
fëmijët e së ardhmes ta bëjnë fjalëkurorë me dritë.
2.
Trishtimin e valës
ta dëbojë kah mot ky qiell e ky diell ulqinak.
Nanat fisnike
ta mbjellin dhe në dimër për të Trëndafilin e Kujtesës.
Briri i vargut e dega e ëndërrës
për lum poetin të përqafen si miq të lashtë.
Dyert e Kullës së Shqipes
të presin bardin e lashtë e të ri me trok shekujsh.
3.
Dora e dridhur
mos ta lëshojë Bajrakun e Fjalës, Bajrakun e Agut të praruar
Tupani i Kosovës
ta kthejë paprerë ikjen e poetit në një bujrum kulle.
Kangën e tij të pathënë
po na e thoka ky breg, kjo vjeshtë, ky fari i pagabuar
Ky prag i ëmbëltuar
ku përralla duhet besuar, ku guri kthehet në lule.
4.
Në rrugëtimin parajsor
do të pyesim për të zanat e bjeshkës e nimfat ulqinake
Në një fluturim pulëbardhash
si një anije pa vela do të na duket një bedenë kalaje
Në Odën e poetëve
Mirësia e Refatit, lavërtarit të fjalës
do të na bëhet si pranverë e dehur nga flladi.
Dhe ikja e poetit
do të na bëhet RIKTHIM e një varg i ri balade.
Namik Selmani
Shkrimtar, Ulqin 4 gusht 2008






9. Migjeniane



Të hapura
Mbetën kanatat e këngëve liridonash migjeniane.
Antivirusi i Harresës
Na e ka rrekur lumnueshëm memorien e Kryepoetit lavërtar.
Një dorë pendëartë
Zgjatet drejt kështjellave nëpër gurët e bedenës flakadane.
E padurimthi
Fort po kapka fletët e lavdisë, bash si përqafen valët mbi valë.


Shkërmoqshëm
Mbeti grushti qëndrestar e i gjakuar i poetit kah Mali.
Kishtet e xhamitë
Rizgjueshëm puthkan fjalësertat, fjalë të pathëna poeti.
Dangdanget këmbanore
Si flutura ëndrrash flatrojnë qiejve gazmuar nga flladi
Një copë bukë
Në duar lypësish të rinj koha dhimbshëm na e thau, na e treti.


Ani, poet gjokspikëllima
Ku ylberet hyjnorë të shpirtit munden pagjakshëm nga tufanet.
Ani, Kalorës i Dhimbjes
Që vrullon e vrullon pa u ndalë në udhët mërgimtare.
Po si s’u theqaf
Kjo kreni e shtirur poltronash, prostitutash , kjo kohë vrastare?
Po si s’u tha
Ky pikëlot syve të Luleve e Zenelëve shpesh me duar pa shkronjat amtare?


Dielli u venit
E kaltërisë ia hoqën qilimat e odës së lashtë të maleve.
Tupanet e fjalës tënde
Si s’i dëgjojnë shkëmbinjtë që hepohen ndër humnera njëherësh?
O ditëvdekje migjeniane
Që nxitoni fitimtare mes një karvani këngësh majekrahu , telash bjeshkatare.
Mes testamenteve gjyshërore
Mos mbetshi si fletëvolante të një fushate në tribunat pa njerëz!


O fjalë poeti
Me mërmërima pëllumbash me mëmësi lehonore në qelizat gjakblerta.
Ku Ora e Kohës
Nuk njeh çirakë të ndërrimit të një kthimi tragjik.
Një turme
Mund t’i thahen në duart e lodhura lulet për idhujt pa krena
Po kurrë, kurrë s’i thahen fjalët e lume të POETIT që riçelin filizë…

Tupanet e Fjalës së Rrejshme
U bafshin lëmashk për guva e për hapa të hedhur.
Kollë e Kohëkrisjes
Ta kallë kollën e poetit në turravrapin parajsor!
Në ditëvdekjet migjeniane
Sup më sup, gojë më gojë e duar mbështetur
Dhe tingullin e fundit të këngës
Në katarakt ta kthejmë për gjakun e frymën që vlon.


10. E gjatë rruga për tek ti……


E gjatë rruga për tek ti, Çamëri.
E gjatë. Fort e gjatë.
Metër për të s’ka e syri nuk e mat.
Vetëm zëra ehosh malli
Përpëliten në dërrasa kraharorësh të thatë,
Me to deshifroj saktësinë vënë ndershmërisht në kandar.


Të lodhka rruga për tek ti, Çamëri.
Të lodhka. Fort të lodhka.
A ka mbetur nën gërmadha
Një pikë vaj nga ullinjtë e lashtë, more miq ?
Trupin e foshnjës së posalindur
Do ta ngjyej me të sapo të arrij.
Nga Anija e Fjalës jehonë malesh do të sjell e iso pa mbarim



E bukur rruga për tek ti, Çamëri.
E bukur. Fort e bukur.
Do të marr me vete nga stiva
Një jorgan të ngrohtë për supet e zbuluar.
Do jetë djegur jorgani i gjyshes diku në varre strukur.
E duart e saj,
Si duar Rozafe s’mund të më përkundin në gjumin e trazuar.


E ëmbël rruga për tek ti , Çamëri.
E ëmbël si mjalti i parë i hojeve
Të marrin për të vesh zjarret e….kongjinjtë kuqohen.
Të marrin vesh krojet e ….sërish të zgjohen.
Të marrin vesh lulet e …brigjet të lulohen
Të marrin vesh udhët e…. të zmadhohen.
Mjegullat të marrin vesh e…të largohen.
Minaret të dëgjojnë e…të lartësohen.

E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!
Sa një poezi në buzët shkrumb të djalit -poet.
Sa një stinë në kapërcyell të Ndërrimit.
Sa një dallgë që lind e shuhet në det.
Sa një këngë në pragun e Zgjimit.
Sa një agim në pragun e zbardhimit,
Sa një baladë në prag të jetërsimit.




E gjatë rruga për tek ti, Çamëri !
E tri herë
Duhet ndërruar tagjia e kalit të shalës .
E pesë herë
Duhen ndërruar patkonjtë e ngrënë mes gurit e baltës.
E miq të rinj
Duhen gjetur për shtigjet, miq besnikë
Për të ndërruar bukën në burimin e udhës së largët.


Në trastën e rrugës do ta marr me vete një patericë.
Kaçakët modernë me zëra celularësh
Brinjët e njoma mund të m’i thyejnë si qelqe.
Po rruga DUHET BËRË
Se Çamëria pret diku në Volë, Prevezë a Gumenicë
Me ilaçin e limonave të stërgjyshit
Më ka bërë melhemin e Rilindjes në jetë të jetëve.

E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!
Sa një krisëm dielli
Që hap kanat më kanat portat e ëndrrave.
Sa një hap kënge
Që i bie si këmbanë sirenave të zemrave.
Sa një fjalë fëmije
Me burrërinë e një gjyshi fjalëmençur.
Sa një heshtje pendartë
Në Ditën e Pjalmimit filiz të çelur.


E çka do të gdhend për ty në Monumentin e Nisjes
Ku fjala
Përuron para kohe Mbërritjen e lumtur pa kthim?
A të vë ca lule të thara që sytë i vrasin pa i parë?
A të vë një kurorë dafine me nderim?
Çka? Çka?
Mërmërij e sokëllij….
Ndërsa prapë……… rrugëtoj
Nga agimi në muzg e nga muzgu në agim.



11. Akademia e prehërit të nënës

Nënave shqiptare kudo ne botë


1.
Do të kemi lindur
Që kur këngët e dasmës suaj thureshin ndër oda
Jemi shfaqur nën ca qerpikë
Ku pasqyrosej ëndrra e vajzërisë qerpikfshehur
Ca burra
Uronin e ndërronin kutitë e duhanit në sofra.
Pa harruar
Se të nesërmen do të niseshin pas farës së hedhur.

2.
Në prehërin tuaj, nëna
U bëmë Akademikë me diplomë përjetësie
Tak, tak, tak
Trokëllinin në sy legjenda, ninana e amanete
Rrudheshit para syve fëmijërorë
Si shtëllunga të leshta që ktheheshin në fije
E hapnit sinorë malli
Q nuk i njomte, breshëri, shiu e as i rrëzonin tërmete.

3.
E gjilpëra e vogël
Sillte mes nesh një botë të madhe pa gjerdhe
Ku ta dinim ne
Se sa det detëronte në gjoksin tuaj ëmbëltor?
Silleshim rreth fustanit,
Çuçurinim fjalët si burim pranvere.
E bëheshim mbretër të vërtetë
Në atë prehër të ngrohtë me vështrimin hyjor.

4.
Nga duart bujare
Merrnim bukën e ngjyer e vraponim në rrugë
Pa e parë
Se si kërruseshit e iu thinjej bukurisht pala e flokut
Mëngjeseve
Ju nxitonit të hidhnit pelenat në telat e mbushur
E në vazot e luleve
Të rimbillnit farën e re të borzilokut.



Nën këtë qiell të kaltër Prizreni…
Nga Namik Selmani

1.
Nën këtë qiell të bukur Prizreni
Lëshova të qarën e parë në duart e ngrohta të Nënë sime
E s’po dija
Se ku ishte djepi ku më vunë për gjumin e foshnjës.
Ooh,
As emrin nuk ua dija bukës, lisit dhe natws me yje
E s’kuptoja
Ç’fliste i menduar baca urtak me burrat në sofrën e odës.

2.
Në këto rrugica
Hodha hapat e parë mes trembjes fëmijërore dhe gazit
Pas pragut të kullës
Një ditë më pritën flutura, lule, xixëllonja.
Me gjerdanët e tyre
Mbusha duart e vogla, fytyrën dhe shtegun e ballit
E këngën e parë
Ia këndova bjeshkës kur plisin kish vënë dëbora

3.
Në këto troje
Thura ëndrrën e parë të brishtë me fjalën gjuhëshqipe
Ani
Pse ma godtën fort , fort e gjakshëm me kamxhik e litarë
Ajo flinte aty,
Në gjoksin vajzëror ku rritej si lastari në brigje.
E unë
S’ia vadisja dot bistakun e petalen e tharë.

4.
Këtu
Provova puthjen e parë të ëmbël mes shendit e lotit
Kishte ikur larg
Fëmijëria e pafajshme si të ishte një hark i zhdukur ylberi
Ah,
Edhe atë ma vranë, ma kallën si me flakë baroti.
E qiellit iu fala
Me fjalët që në fytin e mbushur po më ngecnin.




5.
Bash këtu
frymova jetën me fjongo të kaltër Lumëbardhi.
U bëra Zanë
e Kreshnikun tim e prisja të vinte vrik pas Bjeshkës.
Të më vinte në gji,
të më këndonte një ninanë si një përkëdhelje flladi
Të më mbante në krahë
Si një qengj që vrapon nxitimthi pas nënëdeles.

6.
Kur dashuroja
I thoja diellit që vetëm për mua të sillte rreze.
Ia kërkova tupanit
Të lodronte bashkë me mua në zemrën e qeshur.
Po ajo,
Ajo fshihej me shtatë palë kyçe ndër sepete
E piskama e shpirtit
më mrrolte hapin si mulliri pa pikën e ujit mbetur.

7.
Këtu
U bëra Ajkunë këmbëgjakosur a Shotë trimërore
Me gjunjë te varret
Ndjejva në gjoks se si rrihte zemra e plagosur e Kosovës
Çamëria
Më vinte në gjumë nga larg, me amanetet arbërore
Më vinte
Si guri i munguar në strehën e portës

8.
Nënë këtë qiell
dora vajzërore u zbardh nga pahu i miellit
Mblodha zambakë
e ia vura gjoskit, këngës dhe poezisë së parë.
Oooo,
mos më pyesni kur nisa të flas me retë e qiellin!
E kur loti i nxehtë
nisi të derdhet si uji i Kroit të Mëhallës.

9.
Tani,
Ç’ka, ç’ka t’i them këtij qielli kaltëror Prizreni????
Pengjet e mia
Si karthjie të thata i mori Deti i Kripur i Jetës
Këtu më keni,
Ku fjalët bëhen si rroba të thara e mbetura tek teli.
Si gaca zjarri
Që presin ca duar hyjnore t’i ndezin njëherësh.

10.
Se mjalti i Sharrit
Mbeti pa vjelë kur bletarët mungojnë
E çikat-nuse
Nuk kanë ç’të vënë në pjatë e në duar te pragu i kullës
Këtu më keni,
Duke thurur shtëllungën si Nanëlokja, gjer vonë.
Duke vrapuar
Si udhëtari që pret me gazmend agimin e purpur.

11.
Këtu
Mëngjeseve hedh kurorë si Mbretëreshë dardane
Me bacalokët
Mbush e zbraz mes urimeve vozat e verës së ëmbël.
Po thellë syrit,
Netëve fsheh si margaritar lotin e brengës së madhe.
Në strehën e mallit
Puplohem a qullem nga shiu i pambaruar i ëndrrës.

12.
Këtu,
Marr bajrakun e kuqëluar e turrem në varr a në livadh
Pa u tutur,
Se dikush do më quajë vogëlushe a e marrë.
Muzgjeve
Këpus veriget e rrushit të pjergullës së bacës mentar
E si gjyshe e mirë
I këndoj loçkave një fjalë të ngrohtë ninulle.



13.
Këtu,
Jetova mes plumbave si mes një velloje zezone.
Me Lokëet
U futa mes kukamës që qiellin e çante si teh shpate.
Diku e dikur
Nisa të thur vargjet e poezisë që shpirtit më vlonte
Në gjunjë u ula
Mes varreve të trimave që më kanë bërë në shekuj krenare






14.
Në këtë Kala
Bëhem Rozafë të mëkoj zogj, pëllumba e shqiponja.
Fort
I bie këmbanave e thërras me vëllezër nga minaret ezanët.
Në skërkala Shatërvani
Flas me gurët, me thinjat që m’i ka shtuar koha
E vargun e brishtë
Ia jap fletës si petullat për mikun e largët.

15.
Këtu, nënë këtë qiell të bukur Prizreni
Dhimbja e Karl Gegës

Kushtuar arkitektit me origjinë shqiptare Karl Gega që hapi të tunelin e Semeringut në Austri




1.
Në të gjithë urat e botës
Shoh një sy të pagjumë të shqiptarit të mirë Karl Gega
Një dorë që zgjatet
Për të shënuar vijën e numrat e munguar, qoftë dhe pagjumësisht.
E me të krahët e brigjeve në Triesten diellore
Mund të bashkohen si flatra të patutura nga era.
Vetëm dhimbja e krenia për të
Mund të na sjellë kaq mall e dhimbje mbi tavolinë.


2.
Në tunelet e botës
Me sytë shqiptarë do bashkoj sërish Alpet gurqiklopikë
Në duart e tua
Përrallat përrallojnë të vërtetat e prekshme hyjnore
Një monument tjetër
Do ta vë në gjoksin e poetëve të mençur të kombit tim
E kreninë e pafshehur
Si lule do t’ia jap djemve ndër fjalët dritëshkronjore.


3.
Frynte një erë nga nëntoka
Bridhte qorrëruar cikma alpine, kristalonte sytë e gurtë e shpatet e mprehta
Ti prisje agime Semeringu
Si udhëtar i përjetshëm drejt sirenash e ëndërrave farfuritëse
O udhëtarë,
O ngarendës tunelesh, ulni kokën përpara shqiptarit të mirë Karl Gega
E prekni
Atë që dhjetra jetë të kishit, nuk do ta preknit nëpër vite.




4.
Me dritëhijen e jetës tënde, Mjeshtër,
Futem në kullën e dhimbjes së pabesisë ziliqare
Mbi trupin tënd
Klithmoj drejt qiellit e grushtet dhëmbëzoj i heshtur
Oooo, për ty Mjeshtër
Historia vika e diellëzuar dhe kur të godasin në shtigjet vrastare
E Lulet e kujtesës
Lulërojnë për ty sa për 100 mbretër njëherësh.


5.
Dhimbem me ty, Mjeshtër
Krenohem me ty mendjeartë
E derën krenisë nuk ia mbyll tërë jetën….


13 tetor 2011
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://agron-shele.webs.com
 
Cikël poetik nga poeti Namik Selmani / Trëndafilët e Prishtinës
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Poezi nga Namik Selmani
» Poezia " Baladë për Këmbanat e Fjalës" nga Namik Selmani
» Cikël poetik nga Vëllimi poetik "Pikturoj në qiell ” i autores Farida Ramadani
» Cikël poetik nga Riza Çato / Shkëputur nga Vëllimi Poetik " Valsi i metaforave"
» Cikël poetik nga Mimoza Rexhvelaj

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Galaktika Poetike ATUNIS  :: Kumte dhe Ese :: Botimet e reja-
Kërce tek: