Poezi nga Natasha Xhelili
PEISAZH DIMRIPeisazhin e fundit të dimrit
Në shilarëse të zemrës
Përkund ,
Pemët e zhveshura nga mungesa
Drithërohen në petalet e dëborës,
Shiu i rebeluar ëndrrave
troket me forcë
Në dritaren time,
Ritmi i tij si shuplakë
Godet vetminë.
Krahët e shtegtimit treten
Horizontit të afërt.
Re, mjegull, errësirë,
Më ngrijnë në sfond.
Kam shumë ftohtë
Mes kësaj boshësie të bardhë
Krahët e ëngjëllit të dashurisë
Nuk përkulen më mbi mua…
Vajtoj si fëmijë mbi letrat e djegura
Në hirin e tyre ringrihen fjalë,
Fjalë të ndrojtura, të mbetura pa fole…
Në frymëmarrje stuhish
Si endacak vrapon në kujtimet e mia,
Duke i rënë po asaj melodie,
Duke pritur lëmoshë përkëdhelëse…
Peisazhin e fundit të dimrit
Skalis në murana dhimbjeje
Krojeve ndihet avulli I lëvizjes
Lumenjtë vërshojnë si hiena
Gërvishtin gjithcka
Me thonj gjakatar…
Dielli i mekur
Regëtin si dritë xixëllonje…
Ti hap derën e kujtimeve
Në peisazhin e endur
Në pëlhurë ,më tërheq prej sfondit,
Më shkul zemërimin e mbramë…
Atje, në pikturën e modeluar me trishtim,
Ka një njollë të bardhë,
Një vend bosh
Që duhet ta mbush me pritje…
DHURATASi lirë më belbëzon në vesh
Një diell i lindur
Në zemrën e dashurisë.
Në petale ylberi
Ditët mbartin stinët
si jehonë prag stuhisë.
Në ngrohtësinë e duarve
Si drenusha rendin
Rite pambarim,
Në altarin e puthjes
Valëvitje flakësh
Përshëndesin si agim.
Në largësinë që s’mbaron
Ndriçojnë rrugën
fjalë në vetmi,
në kurora dafinash
end pëlhurën e pritjes
me premtimin e tij.
Në balada rinjohjesh
Prej botësh të ndryshme
Nishanet zgjatin kokën,
Krushqit duarbosh
Në kuaj ngarkojnë
Betejën me kohën.
Si endacak unë lyp
Brigjeve të shpresës
Orakuj të shkelur,
Në ëndrra takimi
Më sill si dhuratë
Veç një të përkëdhelur…
PËRKUNDEMPreludin e lashtë të agimit
E ngarkova në krahët e erës
Diellin e zbehtë të trishtimit
Në pragun e plazhtë të verës.
Vrapimin prehës të ajrit
Zbrita mbi pranverën e fjetur
Ndriçimin sundues të farit
Mbi zërin dhe klithmën e etur.
Hijen që s’lodhet pas meje
Si relike ruaj në xhep
Pirate e fshehur në deje
Harta thesaresh më jep.
Po ndihem vetëm , e humbur,
Me flatrat e prerë të zanës,
Porta e gëzimit është mbyllur
Në frikën e drapërt të hënës.
Përkundem në valën e kohës
Duke zgjedhur ëndërr a djall,
Heq perden e zymtë të botës
Kur dritë-errësira më kall.
HONEVE TË TUADerdhem honeve të tua,
porsi verë në një gotë,
vera shkumëzon bekuar,
unë, e lëngshme kristal-lot.
Si një shtjellë, marr me vete
kujtime vello shtrëngate,
nëpër shtigje hojezemre
njëjtësia e një nate.
Derdhem pranverë prag verës,
si një zjarr që shkon në maj(ë),
tretem në spektrin e vesës,
humbas nektarit të saj.
Shpinëkthyer përëndimit,
si hero pas një beteje,
harruar skenaflijimit,
perëndishëm vjen drejt meje.
Flakur trupin tim në zhgjëndërr,
dejet mbush imazhi yt,
honet si lastarë më bëhen,
mishërimi po më mbyt.
Prapë prej mishi e prej kocke,
gjunjëzoj të njëjtin mbret,
pa fanfara, tinguj lodre
që nga honi më nxjerr vetë.
Sy më sy shpirtpërvëluar,
valëzohemi mbi shtrat,
rilindur në ato duar,
Beatris në qiell të shtatë.
HARRESËTani që perdja e trishtimit
Më ka pushtuar,ëndrrat flak
Dhe eci rrugëve të harrimit
Mallin tënd shëroj si plagë.
Po zgjatin kokën ndarjesitë
Portretin tënd kafshojnë nga pak
E mbetur vetëm yjësitë
M'përplasin hijesh buzëzambak.
Po sjell në mend fjalë, shkronja,
Fshehur shtigjesh ,larë me lotë,
Do mundem vallë unë e gjora,
Të rroj pa diell në horizont?
Errësira vdekjen plak
Si shtrigë Salemi bën magji
Një brengë e mbetur zemrës çark
Me etje fshin çdo gjurmë të Tij...