Poezi nga Pullumb AhmetiIMAZH APO ËNDËRRBuzëmbrëmjes pija ngeshëm një kafe
futur në botën time bisedoj me poezitë
horizontit përskuqur diellit mbas darke
syve më shfaqesh imazh,ëndërr a dritë.
Rreshtave të poezisë ecën e përndritur
shtigjet gjen s'më qëndron për një çast
ëndërr Penelope netëve thurur ç'thurur
a Helenë bukuroshja Trojën ke lën pas.
Mbretëresha Teutë dalë nimfë prej detit
a je zanë mali kërkon Gjergj Elez Alinë
ç'far të shtyn endesh natës prej sikletit
shpirtit mban Argjiron që kërkon fëminë?
Mbeti kafja përgjysëm ftohur e pa pirë
hyjnesh më bëhesh tretur me poezinë
vasha Suljote hedhur nga shkëmbinjtë
a je Maro Kondë Labërie fluturon e lirë!?
Në sytë e shqiponjës qëndisur flamurit
gjithë dritën e shpirtit derdhi Marigoja
nëpër fushbeteja s'i shkëputesh burrit
hap më hap me ty ëndrrash udhëtoja
Eh,si një sorkadhe zhdukesh në lëndina
shtojzovalle ëndrre më kërcen me erën
shpirti flak shpërthen sytë shkrepëtima
ç'u ngrita nga vendi shkova hapa derën.
Hapa pa e ditur,gjithë fletët me kureshtje
vasha sa kisht' ardhur shkrirë me poezinë
kthehem rrëmbej penën,thura disa vargje
imazh apo ëndërr,ah thjeshtë një vetëtimë.