Poezi nga Astrit BllacaAtdheu im(Për gjithë emigrantët)Atdhe, u ushqeva me ty kur isha fëmijë, pa e ditur,
kafshatë më kafshatë symbyllur të kapërdija,
dhe ditëve e netëve kur s'kisha asgjë për të ngrënë,
me vrap fëmijënor, në prehrin tënd unë vija.
Atdhe, jam rritur tani, jam bërë burrë,
e të kërkoj më kot në hapësirën pa fund,
nuk të kërkoj si burrë por prapë si fëmija,
që nënën kërkon e portën furishëm e tund.
Ku të kërkoj Atdhe, më thuaj, ku të të gjej,
s'ka ngelur nga trupi yt asnjë shenjë,
tek tuk gjej ndonjë kockë që zbardh që përtej,
tek tuk kur kërkoj, gjej nga ty ndonjë rrënjë.
Më ndoqën Atdhe, ata që të donin për vete,
më ndoqën si djalin plangprishës i ati, e ndjek nga shtëpia,
dhe ika Atdhe e mora rrugët e botës,
unë ika me gjysmën e shpirtit që prapa e lija.
Dhe sa herë për ty Atdhe, uria më merr,
të kthehem dua atje ku u rrita fëmijë,
ta ngjyej kafshatën në lotët që rrjedhin si lumë,
t'mos endem jetim që s'ka vend ku të rrijë.
Më thuaj Atdhe, unë a të dhimbsem ndopak?
Apo ata egërsirat asgjë s'kanë lënë më nga ty,
më thirr të vij, i ri në jam apo plak,
u lodha së enduri rrugëve me lotët në sy.