Poezi nga Rami KamberiRami KamberiOdeoni i ManastiritKalojnë shekujt, përsëri jam gjallë
Zjarri e flaka emrin nuk ma shuan,
Në hije e në diell kujtohem me mall
Edhe pse motet, plagët m’i shtuan.
Sa kohë që këngën ju ma këndoni
Historia e krenaria më vijnë pas,
Me gjuhën time, librat t’i shfletoni
Se unë ju pres, shqip ju flas.
Jam Manastiri, diell i dritës e guximit
Që shqipes i këndova me plot dashuri,
Me shpatën e Skënderbeut, penën e Naimit
Me jehonën e alfabetit, me shikimet liri.
Nën krahët e shqipes kam zënë strehë
Nëpër male e fusha jam duke kënduar,
Për burrat e motit, që syri si sheh
E morën dhenë, e më kanë harruar.
Jam Manastiri, shqip flas, ende jam gjallë
Zëri më dëgjohet, i fortë sikur atëherë
Pararojë më bëjnë, varret e burrave të rrallë
Që shqipes i dhanë nam, e i dhanë vlerë.
Jam Manastiri e nuk bëhem varr
Perëndia, qëndresë më ka bekuar
S’lejoj armik e as tradhtar
Që shtatit tim, t’i pres këmbë e duar.
Ndaj o’ shqiptarë, bashkohuni përsëri
Nën hijen e flamurit, të madhit Skënderbe
Se vetë Perëndia, ka falur një Shqipëri
Që të gjithë e kemi mëmëdhe.