Poezi nga Lumo KolleshiPRANVERË NË BAHÇEN TIMEErdhi pranvera në baçen përqark shtëpisë,
Mushmolla dhe ulliri po m’i zgjojnë dy shegët gjumashe,
Kumbullën e vetme,hollake,
Pjeshkën që po u shkon një rimel qerpikëve të luleve,
Ndërkaq dy gjyshet pjergulla
Përralla të bukura po u tregojnë fëmijëve lastarë.
Në këtë konak të lulëzuar,
Si në konakun e Mujit në Jutbinë,
Po darkojnë agajt zogj dhe kanë një merak,
Pse nuk po e martoj ullirin.
“Bash si motra po më duken kumbulla,pjeshka,mushmolla”
Më thotë dhe pret hënën të dalë,
Të zgjatë krahët në kopshtin e gjitonit,
Ta mbushë me lule kajsinë.
TË DASHURËS SË PARË(Poezisë)Droje s' kam ta them kësaj dekike:
Kemi mëkatuar gjer te marrëzia,
Në një kohë kur as mosha nuk e dinte,
Nuk e dinte ç'ishte vetë dashuria.
Të fshihja lotin tek syrit regëtinte,
Të brishtë dhe të turpshme ty të shihja.
Të merrja dhe të strukja larg nga sytë,
Larg nga sytë e botës ziliqare,
Ti ma mbushje natën veç me dritë,
Unë gostisja të gjithë yjet në dritare,
Të shtroja çarçafë të trëndafiltë
Ëndrra mbushte duart me petale.
Të kujtohet bashkë kur na zunë
Në gazetë ngjitur trup me trup?
Sytë përdhe i mbanim ti dhe unë,
Pa ditur nga na vinte ai turp,
Thellë,thellë nesh djersët bënin lumë,
Lumë që kurrë s'u tha e deti e përkund.
Kronikë e zezë,por pa krimDje,
Në Rrugën e Qumshtit,
Parakalim i gabuar i Hënës ndaj Diellit.
Semaforët e qiellit ishin dehur.
Kushedi se me ç'galaktikë bënin orgji,
Ndërsa unë ruhesha para pasqyrës,
Për sot.,
Për ty,poezi.