Poezi nga Agron SheleKohë heronjsh dhe epe martirësh.( Kushtuar Antigona Fazliu dhe Ilaz Kodra )Pranverë dukej të vinte Kosovë,
pranverë dhe lule mbi vragat përvëlim
tymit të kullave djegur e shkrumbuar
qiellit të errët rrebeshesh egërsim.
Pranverë dukej të vinte Kosovë
Harlisur lulëkuqesh shkrepit të lartë
Gjakut të Prillit ngjyrim të flamurit
Kohë heronjsh dhe epe martirësh.
Tokës së lashtë emërin pagëzuar
Tokës së të parëve gjer në përbetim
Antikës së gjallë ngritur mbi shkëlqime
Britma luftëtarësh fise ilirie.
Emër që ringrihet përmbi çdo kështjellë
Endur nëpër shekuj, endur edhe sot
Antogonë e ardhur nga djepi Epirit
Antogonë e mbetur tek klithma e shqipes.
Pranverë dukej të vinte Kosovë,
pranverë dhe lule ballit tënd kurorë
komandant Ilazi tjetër rreth kreshnikësh
radhoi i kombit ngritur përmbi yje.
Pranvera erdhi me lule shumë
çelur mbi thëllim, motit të lirisë
në çdo pikë gjaku të lexoj Kosovë
në çdo tingull shkronje faqe historie.
Shënim: Antigonea – Qytet Ilir i ndërtuar nga Pirrua i Epirit.